Ekspertët ngrenë alarmin, Tetova ballafaqohet me një vrasës masiv dhe të heshtur

Tetova ballafaqohet me një vrasës masiv dhe të heshtur, i cili jo vetëm që dëmton token, ajrin dhe ujin por edhe shkakton dëmtime të rënda gjenetike me pasoja të pariparueshme. Ky vrasës, sipas ekspertëve, është ndotja enorme me të cilën ballafaqohet ky qytet dhe rajoni përreth. Rastet e reja të kancerit janë rritur për 80 për qind, tre herë më shumë fëmijë të sëmurë nga astma, 7,500 çifte nuk mund të kenë fëmijë, sëmundjet e zemrës dhe të organeve shënojnë rritje frapante.

Arijanit Xhaferi, kryetar i Lëvizjes EcoGuerilla, në një debat të organizuar të hënën mbrëma në UEJL në Tetovë tha se ndotësi kryesor është fabrika “Jugohrom”, e cila merr pjesë me 53 për qind në ndotjen e përgjithshme.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër përveç filtrave. Nëse Jugohromi do të instalonte filtrat konform ligjeve, atëherë në amtmosferë do të derdheshin vetëm 800 kilogram pluhur. Tani, që punon pa asnjë standard ekologjik, në ajër hedh 42 ton pluhur, i cili përfundon në mushkritë tona dhe nga aty futet dhe dëmton të gjitha organet tona. Koha është t’i themi stop kësaj vrasjeje”, tha Xhaferi.

Ilir Vela, kardiolog, tha se pasojat nga ndotja janë evidente dhe të njëjtat i grupoi në pasoja afatshkurta dhe afatgjata.

“Pasojat afatshkurta janë irritimi i syve, hundës dhe fytit, infeksione të frymëmarrjes si bronhit dhe pneumoni. Ndotja mund të shkaktojë edhe dhimbje koke, vjellje dhe reaksione alergjike. Si pasojë afatshkurtër mund të përmendet edhe përkeqësimi i gjendjes mjekësore të personave me astmë dhe emfizema”, tha Vela.

Pasojat afatgjata, sipas tij, janë sëmundje kronike të frymëmarrjes, kanceri i mushkërive, sëmundje të zemrës, dëmtimi i trurit, nervave, mëlçisë apo veshkëve

Vela përmendi një rast të rallë të shfaqjes së kancerit në mushkëri te fëmijët. Rasti i ndodhur në Kinë ka zgjuar kurreshtjen e shkencëtarëve botërorë.  Kjo pasi vajza tetëvjeçare , duke jetuar pranë një rruge të madhe në provincën Jiangsu të Kinës Lindore , është bërë personi më i ri në Kinë , dhe ndoshta në botë, që do të diagnostikuar me kancer të mushkërive. Rezultatet e hulumtimit nga shkenctarët tregojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të ndotjes në shkaktimin e kancerit te vajza. Qyteti Jiangsu ka një nivel të ndotjes të përafërt me atë në Tetovë.

Dr. Naser Durmishi alarmoi për rritjen jonormale të numrit të sterilitetit mashkullor. Duke iu drejtuar studentëve që merrnin pjesë në debat, ai tha se çdo i pesti nga ata është në rrezik të madh që të mos mund të ketë trashëgimtar pikërisht për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm në ndotje enorme.

“Ndotja ndikon në 42 për qind të sterilitetit mashkullor, apo të pamundësisë së mashkullit për të lënë trashëgimtar. Pasojat afatshkurtra në këtë sferë është infertiliteti dhe ndryshimet neoplastike, kurse ato afatgjata – metagjeneza dhe ndërhyrja në evolucion”, tha Durmishi.

Duke u bazuar në fakte shkencore, Durmishi tha se ndotja është e ndërlidhur me dëmtimin e ADN-së, morfologjisë jonormale të spermës dhe të reduktimit të spermës te meshkujt.

“Varet nga ne se në çfarë ambienti do të jetojmë dhe çfarë trashëgimtarësh do të kemi. Sot vlen një thënie e Mehmet Pashë Derallës, ministrit të parë të mbrojtjes: Një popull që nuk flet, vdes. Andaj duhet të flasim dhe të ngremë zërin për mbrojtjen e qenies sonë”, tha Durmishi.

Dr. Arian Alili tha se ndotja ndikon edhe në numrin e madh të aborteve të padëshiruara, të regjistruara në Tetovë.

“Ndotja e ambientit ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi ndërtimin dhe zhvillimin e embrionit. Ky ndikim mund të përshkruhet në determinimin gjenetik gjatë koncepcionit, strukturimit organik si dhe në rritjen dhe zhvillimin deri para lindjes. Gjatë një studimi shkencor në Poloni është vërtetuar se nënat që kanë qenë të ekspozuara ajrit të ndotur gjatë shtatzënisë kanë lindur fëmijë të cilët kanë qenë të detrminuar për diabet, hipertension dhe sëmundje koronare qysh në mosha më të reja”, tha Alili.

Ndryshe, nga Lëvizja EcoGuerilla thonë se janë duke shqyrtuar masat e mundshme që do të ndërmarrin pas përfundimit të afatit të vazhduar qeveritar për vendosjen e filtrave nga Jugohromi, i cili skadon në fund të muajit prill. Nga kjo lëvizje paralajmërojnë masa më radikale dhe thonë se nuk mund të kontrollojnë më mllefin e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button