Sauditët: Irani sekuestron një anije amerikane. SHBA: Asnjë shtetas amerikan

Televizioni saudit “Al Arabiya” ka bërë të ditur se “forcat” iraniane kanë sekuestruar një anije amerikane mallrash, pasi hapën fillimisht zjarr ndaj saj në Gjirin Persik gjatë së martës, e më pas e detyruan të drejtohej për nga porti iranian i Bandar Abbasit.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se forcat iraniane kishin hipur në bordin e një anijeve me flamurin e Ishujve Marshall, “MV Maersk Tigris” në Gjirin Persik. Ai shtoi se hipja në bord ndodhi pasi varkat iraniane të patrullimit qëlluan me armë drejt anijes, duke e detyruar atë të hyjë më në thellësi të ujërave iraniane.

Anija nuk kishte asnjë shtetas amerikan në bord, tha zëdhënësi, duke dhënë kështu një informacion kontradiktor me raportin e “Al Arabiya”-s, e cila tha se ishin 34 marinsa amerikanë në bordin e saj. Zëdhënësi amerikan shtoi se anija ishte duke udhëtuar drejt ngushticës së Hormuzit, kur ndodhi ky incident.

Edhe pse nuk ka ende asnjë deklaratë zyrtare nga zyrtarë iranianë, Teherani shpesh në të kaluarën ka kërcënuar të bllokojë kalimin e anijeve tregtare në këtë ngushticë, në shenjë kundërshtimi për sanksionet e vendosura ndaj Republikës Islamike për shkak të programit bërthamor.

Kanali në fjalë është një rrip i ngushtë ujor që ndan Omanin dhe Iranin. Ngushtica lidh vendet e Gjirit Persik të njohura për prodhimtarinë e madhe të naftës, si Arabia Saudite, me Gjirin e Omanit dhe me detin Arab. Në pikën e tij më të ngushtë, distanca është vetëm 33 km (21 milje detare).

Një tjetër zyrtar tha se, pavarësisht se nuk ka asnjë të dhënë për ndonjë anije amerikane të drejtuar forcërisht drejt brigjeve iraniane, Shtetet e Bashkuara po punojnë gjithsesi për të sqaruar situatën, pas raportimit të televizionit saudit “Al Arabiya”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button