Vlerësohen Biznes idetë më të mira të nxënësve të shkollave të mesme të Gostivarit

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe drejtori i zyrës së USAID-it për zhvillim, Majkëll Stivejter, ndanë çmimet për “Biznes ide më të mirë” – garë e mbajtur ndërmjet nxënësve të vitit të fundit në shkollat e mesme në Gostivar.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe panel diskutimi mbi sfidat për sipërmarrësit në Maqedoni. Ngjarja u organizua nga KLES (Këshilli Lokal Ekonomiko Social) i komunës së Gostivarit.

“Komuna e Gostivarit ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me organizatat të cilat kanë ndihmuar shoqërinë e qytetit tonë. Prej të gjitha organizatave më së shumti është dalluar USAID-i, që në gjitha periudhat nuk është shkëputur nga qytetarët e Gostivarit dhe gjithnjë ka qenë me qytetarët tanë dhe kanë bërë shumë punë të cilat i kanë shfrytëzuar qytetarët e Gostivarit. Prandaj, unë si kryetar komune, administrata por edhe të gjithë qytetarët e komunës së Gostivarit i janë falënderues dhe mirënjohës popullit amerikan, USAID-it dhe ambasadës së SHBA-ve. Në këtë mandat nëpërmjet USAID-it janë bërë shumë punë në qytetin tonë dhe unë do t’i përmendi vetëm disa punë të kryera, Ndërrimi i dritareve në shkollën e mesme ekonomike, rikonstruktimi në shkollën fillore Çajla, projekti Lider për zhvillimin rural, projekti për paraglajding në rrugën e Koritës dhe shumë projekte të tjera të financuara nga USAID-i. Ky projekt ka për qëllim që të jetë një ndihmë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe social të qytetit tonë. Prandaj kjo gjë mua më gëzon që edhe në të ardhmen gjeneratat e reja me idetë e tyre do të nxisin biznese të reja ku do ketë përparim dhe zhvillim ekonomia e Gostivarit dhe shoqëria jonë do ecë përpara”, theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, duke i falënderuar me ketë rast edhe mentorët-profesorët e shkollave për ndihmesën e dhënë në këtë organizim, anëtarët e komisionit për vlerësimin, si dhe anëtarët e Këshillit Ekonomik Social Lokal në Gostivar për organizimin e këtyre aktiviteteve në komunën tonë.

Drejtori i zyrës së USAID-it për zhvillim, Majkëll Stivejter, theksoi: “Të jesh inovativ dhe sipërmarrës do të thotë të duash të përkushtosh veten plotësisht dhe pa rezerva për ta bërë biznes idenë tënde një realitet. Ky nuk është një qëllim i lehtë, mirëpo nxënësit e shkollave të mesme, na bindën se ekziston bazë e frytshme në Komunën e Gostivarit për atë.” Ai shtoi, “Unë jam i sigurt se rinia e Gostivarit ka kapacitet për të zhvilluar zgjidhje inovative jo vetëm për qëllime biznesore por edhe për të mirën e përgjithshme të Maqedonisë.”

USAID-i u ka ndihmuar komunave që të themelojnë Këshilla Lokal Ekonomiko Social të cilët iniciojnë dhe të mirëmbajnë dialog publiko-privat mbi punësimin e të rinjve, nevojat e tregut të punës, dhe përshtatje më e mirë e shkathtësive të kërkuara në tregun e punës me ato që zhvillohen në shkolla. KLES i Gostivarit është një nga shtatë KLES-ët e themeluar në partner komunat e Rrjetit JES të Shtipit, Strumicës, Prilepit, Manastirit, Tetovës, Gostivarit dhe Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button