Letër e hapur Ministrit të arsimit dhe shkencës të republikës së Maqedonisë

I stërmbushur dhe i lodhur me problemet në arsim lidhur me reformat e aplikuara sidomos në dhejtëvjeçin  e fundit,  që si pasojë ishin grevat e arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme, të studentëve, të nxënësve të shkollave të mesme, marshin e Plenumit të arsimtarëve dhe profesorëve, pakënaqësinë e prindërve.

Si punëtor i arsimit, vendosa  të paraqitem  në këtë mënyrë dhe me argumente  të polemizoj me ju, sepse si duket, NUK KENI KOHË  të merreni me “Punë të vogla”, sikur arsimi nuk ka asnjë problem. Do të mundohem që t’ju përkujtoj në pika të shkurtra për problemet, sidomos të atij me mësim në gjuhën shqipe:

KUSHTET HAPËSINORE, NUMRI I NXËNËSVE, KUSHTET PËR PUNË, PLANPROGRAMET MËSIMORE

  1. A e dini se, 90% të shkollave fillore në mbarë shtetin tonë punojnë me dy po edhe më tepër ndërrime, ndërsa shkollat maqedonase të gjitha punojnë me një ndërrim, me kabinete dhe të stërmbushura me mjete mësimore,
  2. A e dini se, numri i nxënësve pothuajse në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe është mbi 30 nxënës, si mesatare, ndërsa te ato me mësim ne gjuhën maqedonase nuk e kalon numrin prej 20 nxënësve si mesatare,
  3. A e dini se, infrastruktura nëpër shkolla është katastrofale.
  4. A e dini se, përkthimi i teksteve shkollore është katastrofal dhe jo profesional (për çka edhe patët formuar komisione për revidimin e tyre, dhe ende nuk ka asnjë rezultat). Librat e historisë (siç thonë arsimtarët e kësaj lënde, a që e dini edhe ju) kanë plot gabime si në përmbajtje, në strukturë dhe cilësi po edhe gabime faktesh, poashtu edhe libri i Arsimit muzikor jo i përshtatur për nxënësit shqiptar dhe shumë gjëra tjera që e vështirësojnë punon e arsimtarëve gjatë realizimit të planprogramit mësimor.
  5. A e dini se, në shumë shkolla ende punohet në mënyrë klasike si pasojë e mungesës së kushteve elementare për të zhvilluar mësimin,
  6. A e dini sa janë të ngarkuar nxënësit me lëndë mësimore duke filluar prej klasës së parë gjer në kl.IX. Vetëm sa për ilustrim, klasat e nënta kanë çdo ditë nga 7 orë mësimore. Ku mbetet kohë për aktivitete tjera jashtëshkollore, aktivitete të lira, mësim plotësues dhe mësim shtues etj.

Thenie

NDRYSHIMET LIGJORE NË ARSIMIN FILLOR

Për të bërë reforma, sëpari  analizohen të gjitha aspektet, duke filluar nga ajo se çka duam, si duam dhe si të aplikohen, çfarë efektesh negative dhe pozitive do të sjellin, a janë kushtet e pjekura që të aplikohet ndonjë model i ndonjë shteti apo ndonjë kombinim. Për këtë arsye organizohen debate publike, analiza të ndryshme dhe në fund pse jo të jetë si fazë fillestare PILOT projekt që të shihen anët negative dhe pozitive, dhe si pasojë e të gjitha analizave POZITIVE  sillen ndryshimet ligjore. Ju e keni bërë të kundërtën, vetëm keni sjellë ndryshime ligjore edhe atë me  afate të përshpejtuara sikur na ka ikur treni.

Më e keqja vie me ndryshimet e ligjeve për Arsimin fillor, atë të mesëm dhe sipëror. Unë do të ndalem te ndryshimet e ligjit për Arsimin fillor.

Me ndryshimet  e shumta që u bënë viteve të fundit, e vulosët vdekjen e arsimit, sidomos të atij shqip. Sqarimet i keni më lart, sepse diferenca në mes shkollave shqipe dhe atyre maqedonase është si dita me natën.

Kur bëhet fjalë për VLERËSIMIN EKSTERN, si mund të jenë të barabartë nxënësit tanë qoftë me paranjohuri dhe dituri ndaj nxënësve maqedonas. Do të thoni se punohet me Planprogram të njejtë. Po, është e vërtetë. Por, kur kihet parasysh numri i nxënësve nëpër klasa, mjetet mësimore, tekstet shkollore që janë katastrofale, të përkthyera si më keq, a ka mundësi që rezultatet të jenë të njëjta? Kursesi. Kjo i ngjan sikur të garojnë një “Fiqo” dhe një “Mercedes”. Kujdes, kjo nuk është paaftësi e arsimtarëve, por flasim për kushte të barabarta.

Përsa i përket  Testimit ekstern, as që mund ti thuhet test. Plot gabime gjuhësore gjatë përkthimit, pyetje të paqarta, pyetje të cilat e plotësojnë vetëm nivelin e parë të Taksonomisë së Blumit. Të mos flasim për stresin e nxënësve, të arsimtarëve dhe të prindërve.

Askund në Botë nuk ka Vlerësim të këtillë, që nxënësi në një lëndë mësimore të ketë dy nota dhe ajo të ndikojë direkt në suksesin e nxënësit qoftë të jetë edhe e dobët (që nuk është ligjore, se dëftesë nuk i lëshohet nxënësit që ka notë të dobët), pastaj kjo notë të ndikojë edhe në vlerësimin e arsimtarit. Çfarë apsurdi! Nota me të cilën e vlerëson nxënësin arsimtari, në vete ngërthen shumë ekemente. Ai e përcjell atë tërë kohën, bën teste, ushtrime, detyra kontrolluese, projekte, ese të ndryshme dhe nota si numër është sublimat i gjithë aktivitetit të nxënësit duke përfshirë këtu edhe vlerësimin formativ dhe sumativ.

A e dini sa është numri i arsimtarëve shqiptarë që janë të dënuar? A thua pse? Të paaftë? Jo. Kjo është ajo që e përmenda më lart, dallimin në mes shkollave shqipe dhe maqedonase, sepse nuk i kemi kushtet e barabarta. A kësaj i thoni reformë?

Me testimin ekstern, dinjiteti i arsimtarit ka rënë në zero. Si mendoni, po të ishit ju arsimtar i “dënuar” si do ndiheshit para nxënësve me etiketën “arsimtar i dobët”?

Në ligj keni përcaktuar që 30% prej planprogramit, arsimtari të përdorë TIK-un në mësim. A e dini se në pjesën dërmuese të shkollave nuk ka kompjuterë nëpër klasa, nuk ka internet dhe mjete tjera mësimore, sepse TIK-un nuk e përbëjnë vetëm kompjuterët, ndërsa Inspetorët kërkojnë prej arsimtarëve ta realizojnë përqindshin e paraparë për këtë, sepse në të kundërtën do të gjobiten.

ÇKA MË TUTJE?

Në princip, kujtoj se të gjithë jemi që të ketë Testim Ekstern të nxënësve, por:

  1. KURSESI që të ketë dy nota në dëftesë për një lëndë;
  2. KURSESI të mos ndikojë nota në suksesin e PËRGJTHSHËM të nxënësit;
  3. Nota e nxënësit të mos ndikojë në vlerësimin e ARSIMTARIT;
  4. Të krijohen kushte të barabarta në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme;
  5. Testet eksterne (nëse do të ketë) të krijohen nga arsimtar apo autor shqiptar e jo të përkthehen.
  6. Të zvoglohet numri i nxënësve në maksimum 24 për një paralele;
  7. Të revidohen Planprogramet mësimore nga BZHA dhe të shkarkohen prej përmbajtjeve të tepërta;
  8. Tekstet shkollore të krijohen nga autor shqiptar për shkollat me mësim në gjuhën shqipe e jo të përkthehen, pasiqë punojmë me një PLANPROGAM.
  9. Të aplikohet në sistemin arsimor Abetarja mbarkombëtare;
  10. Të zvoglohet numri i lëndëve mësimore, ose të bëhet grupimi i tyre;

Për të gjitha këto, duhet të bëhen ndryshime ligjore, për çka nuk e keni vështirë, por duhet vullnet i mirë.

Me respekt,
Rexhep Alili, arsimtar

Lajme të ngjashme

Back to top button