FJALA E PARTISË

“Komunikimi” i rëndë midis opozitës dhe opozitës maqedonase i solli institucionet në qorrsokak. Të ballafaquar me akuza të rënda nga opozita, ato kanë nisur të kërkojnë zgjidhje bajate, të njohur e të përsëritur një shekull të tërë, që nga luftërat ballkanike e nga Lufta e parë botërore e këndej: provokimet ndaj popullsisë së varfër shqiptare në fshatrat e Karadakut. Qëllimi dihet, dhe e thonë të gjithë këtë zëshëm, që nga fshatarët shqiptarë e deri te shumë intelektualë të vendit: me inskenime të ndryshme institucionet e shtetit duan ta largojnë vëmendjen e publikut vendor dhe të atij botëror nga problemet me të cilat duhet të ballafaqohen udhëheqësit. Kështu në vend se të krijojnë kushte që problemet të zgjidhen në mënyrë të civilizuar, disa institucione krijojnë probleme edhe më të rënda, nga të cilat vështirë mund të dilet.

Në mënyrë të veçantë do të jetë vështirë nëse do të vazhdojnë aksionet policore nëpër fshatrat e varfra shqiptare. Populli shqiptar nuk do luftë, populli shqiptar gjithmonë e ka dashur paqen, por tashmë populli shqiptar është lodhur nga fyerjet. Ai nuk do më provokime. Thjesht populli shqiptar nuk do që të jetojë vazhdueshëm në një gjendje amullie me depresion dhe skenarë horor ku janë të satanizuar. Nuk do më ky popull ta ketë rolin e fajtorit kujdestar.

Ka njëqind mënyra përmes të cilave ky vend mund të shkojë përpara. Pse zgjidhet provokimi? Pse, kur kjo mënyrë është e stërpërdorur dhe nuk mund të edukohen brezat që vijnë kësisoj. Jo, pse nuk mund të jetë frytdhënëse, por në Evropë provokimi nuk do të kalojë gjithmonë. Së paku jo në këtë masë, siç është aplikuar në trojet e ish Jugosllavisë kundër shqiptarëve.

Për të dalë nga kjo situatë vendit i duhet një ndihmë, jo nga jashtë, por në radhë të parë nga partia shqiptare në pushtet, nga BDI-ja. Ajo duhet ta marrë guximin dhe t’i pranojë dështimet në punën politike.

Në mos tjetër, qytetari maqedonas i këtij vendi duhet të dijë për trashëgiminë shqiptare aq sa di për trashëgiminë serbe. Mendoj se kaq do të kishte mjaftuar, ndonëse kaq nuk do të kishte qenë e drejta.

BDI-ja e ka për detyrë të na shpjegojë neve, qytetarëve të këtij vendi, si shkon puna me investimet në vend, sa investohet në viset shqiptare, cilat janë projektet për zhvillimin e rrjetëve të rrugëve në vend, pastaj pse nuk ka as vet informacion për ndërhyrjet policore në Goshincë e Malinë, që u bënë me parada helikopterësh, të cilët i frikësuan fëmijët një mëngjesi në Shkup, të na shpjegojë pse nuk pati reagime ndaj fyerjeve që na u bënë si popull nëpër bisedat telefonike, ku nuk u kursye as vetë kryetari i kësaj partie (u përqesh vrazhdë pse paska thënë se pas Republikës së Krushevës, vjen ministri i parë shqiptar i mbrojtjes në Maqedoni). Pse e kalon në heshtje gjithë këtë situatë me batica e zbatica?

Është detyrim i partisë që, së paku votuesve të vet t’ua thotë të vërtetën pse vazhdojnë të heshtin qoftë për akuzat e opozitës maqedonase, qoftë për kundërakuzat e partisë maqedonase në pushtet, cila është platforma e tyre për dalje nga kjo krizë? Pse qenka prioritet inkuadrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO, para realizimit të synimeve të popullit shqiptar për barabarësi të plotë kulturore e shoqërore në Maqedoni? Pse ngec ose pse nuk zbatohet fare Marrëveshja e Ohrit në praktikë? Cila është përparësia, sipas tyre, që vazhdojnë të rrinë në qeveri?

Nuk mund të lihen në duart e fatit gjithë këto probleme ekzistenciale të popullit shqiptar. Indiferenca i dënon fëmijët, në radhë të parë. A nuk janë të këtij vendi këta fëmijë? A do të vazhdojmë t’i lëmë kështu të rriten në frikë, në pabarazi, me ndjenjën e qytetarit të rendit të dytë? A do të lejojmë që ata të vazhdojnë të jenë njerëzit e satanizuar të së ardhmes së këtij vendi? A do të lejojmë që në vend të frymës shqiptare të lejojmë që brezi ynë të jetojë me ndjenja kozmopolite?

BDI-ja, besoj se e di se shumica e mediave nuk janë në shërbim të demokracisë dhe të lirisë. Televizioni publik (e në këtë kuadër edhe programi në gjuhën shqipe) i ka dyert e mbyllura për shumë njerëz të cilët kanë mendim ndryshe nga mendimi “zyrtar” e i partive në pushtet. Veçanërisht i partive në pushtet. Shumë gazetarëve dhe, veçmas redaktorëve e shefave të shumtë partiakë, as që u shkon ndër mend se informimi nuk mund të jetë pronë partiake, por se redaksitë janë të thirrura ta afirmojë mendimin ndryshe dhe lirinë e individit, kuptohet edhe lirinë kolektive të komuniteteve të ndryshme. Tash për tash nuk ka lajm të hairit, nga jeta në burim, pra në fshat e në lagjet e qyteteve që emetohet nga këto redaksi. Gjithmonë e kam fjalën për afirmimin e vlerave kulturore shqiptare. Pse ndodh kështu?

Televizionet në gjuhën maqedonase i kanë plot e përplot skemat e tyre programore me emisione të ndryshme në gjuhën serbe. Shtiren se nuk ka të tjerë, shtiren se nuk bëjnë seleksion. Po faktet janë ndryshe. Nuk më kujtohet një emision në gjuhën maqedonase që flet për së mbari për shqiptarët. Jo emision, por nuk e lëshojnë një këngë shqipe. E serbe – po. Sa të duash. E theksoj, jo për të folur keq për serbët, por për t’ia bërë me dije grupit të ministrave shqiptarë në qeveri, se këtu duhet të afirmohet muzika shqiptare ndër maqedonas, duhet të afirmohet edhe gjuha shqipe, edhe historia shqiptare, edhe letërsia shqiptare. Pse rrugët e qyteteve në Maqedoni mbajnë përplot emra të lëvizjes komuniste, në radhë të parë, asaj serbe e asnjë rrugë s’e ka emrin e Dervish Carës, të Sadudin Gjurës, Lutfi Rusit, Murat Isakut, Abdylazis Islamit, Teki Dervishit, Mehmedali Hoxhës, Myrteza Pezës, Myedin Hadrit, Qerim Arifit e shumë të tjerëve.

A i ka ngritur BDI-ja këto probleme (dhe shumë të tjera) ndonjëherë në qeveri për gjithë këto vite sa është në pushtet?

Epo është momenti që ta dëgjojmë fjalën e partisë. Të BE-së e dimë. E dimë edhe të qeverisë.

Ta dimë ku i ka rrënjët heshtja, e cila është zgjedhje më e keqe se sa komunikimi i rëndë i pozitës dhe opozitës maqedonase?

Lajme të ngjashme

Back to top button