Ushtria Izraelite shemb disa shtëpi të palestinezëve

Njoftohet se Ushtria Izraelite ka shembur 4 shtëpi të palestinezëve në Bregun Perëndimor, ku strehoheshin 30 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, mësohet se ushtarët izraelitë në fshatin El-Çifitlik të rajonit Agvar në Bregun Perëndimor kanë shembur 4 shtëpi të palestinezëve me arsyen se ndodhen në një zonë ushtarake që i përket Izraelit. Theksohet se në shtëpitë të cilat u shembën strehoheshin 30 persona.

Ministria e Punëve të Jashtme Palestineze, në një deklaratë në lidhje me ngjarjen ka dënuar shembjen e 4 shtëpive. Në deklaratë thuhet se: “Autoritetet ushtarake izraelite, një pjesë të madhe të këtyre tokave i kthen në terrene në shërbim të kolonëve hebrenj ku ata të mund ti shfrytëzojnë për bujqësi dhe të përdorin të gjitha mundësitë e tyre. Duke bërë këtë, privon pronarët palestinezë nga tokat e tyre”.

Izraeli me vendimin ushtarak 151 të cilën e nxori në vitin 1969, në rajonin Agvar sekuestroi më shumë se 5 mijë dynym tokë. Qeveria fillimisht këtë tokë ia dha Konfederatës së Sindikatave të Punëtorëve të Izraelit (HISTADRUT). Më pas me urdhër të qeverisë toka iu dha në përdorim kolonëve hebrenj.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad el-Maliki theksoi se këtë çështje të rëndësishme e ka vendosur si një nga pikat e para në axhendën e takimeve ndërkombëtare dhe se është duke e ndjekur këtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button