Balla i përgjigjet me të njëjtën monedhë Blushit: Bloza jote shtrihet mbi imazhin e PS si Saliu

Menjëherë pas letrës publike të deputetit Ben Blushi, një reagim ka ardhur nga deputeti Taulant Balla, i cili thotë se 90 % të pyetjeve që kishte rreshtuar ai, i kemi dëgjuar në formë akuzash nga Saliu.

Reagimi i Taulant Ballës për letrën e hapur të Ben Blushit:

“E pashë letrën e hapur të Blushit, për një socialist që mund të isha dhe unë. Ben Blushi na ka mësuar me zakonin e tij që na del kundër kur mendon se prish më shumë punë.

Me atë letër i drejtohej socialisteve për të thelluar një sulm të nisur ndaj qeverisë sonë, në prag të fushatës elektorale. Kishte mbledhur të gjitha pikëpyetjet e jetës së vet politike dhe kërkonte llogari për ato nga qeveria jonë, që si ka mbushur akoma dy vjet.

90 përqind të pyetjeve që kishte rreshtuar Blushi, i kemi dëgjuar përditë në formë akuzash nga Saliu. Një tufë problemesh të mbartura 25 vjet dhe një tufë gënjeshtrash të lidhura bashkë me problemet, për ta bërë sa më blozë imazhin e qeverisë.

Po ndryshe nga Saliu, bloza e Blushit shtrihet edhe mbi imazhin e Partisë Socialiste. Mirëpo sa i përket demokracisë në Partinë Socialiste, Blushi është shembulli më kuptimplote që ajo jo vetëm ekziston, por ka mbërritur në një standard rekord! Sepse nuk ka parti demokratike që të arrijë të pranojë siç po bëjmë ne në fillim të një fushate, që kundërshtari kryesor mediatik të mos jetë kundërshtari politik, por një anëtar i kryesisë së PS.

Nuk e di çfarë mendon kush e dëgjon Blushin kur flet për partinë dhe nuk e njeh se si sillet në parti. Po ne që kemi vite që jemi bashkë me të dhe që e kemi respektuar gjithmonë më shumë se ç’na ka respektuar, e kemi kollaj ta kuptojmë se pse Ben Blushi nuk pranon dot asnjë rezultat të qeverisë sonë. Prandaj 90 për qind e pyetjeve të Blushit nuk kanë lidhje me të vërtetën dhe janë jo vetëm plot me spekullime po dhe me shifrat e rreme të Saliut!

Sepse Blushi kaq shumë nuk e do suksesin e këtij mandati, sa nuk i bën përshtypje fare që i vërsulet shokëve të tij me gjuhën e Saliut. Mjaft të shikosh se si flet për emigracionin për të mos gjetur dot asnjë dallim mes tij dhe Saliut. Një kujë të tillë për shqiptarët që faktikisht emigrojnë në shifra konstante për gati 24 vjet, mund ta kemi dëgjuar vetëm në mitingun e Korrikut 1990 për ata që iknin nga Shqipëria në ambasada.

Ndërkohë, që siç e tha fare qartë analisti serioz Gabriel Partosh, kjo nuk është asnjë situatë alarmanate dhe as ndonjë fenomen braktisjeje i vendit, por vetëm një ndodhi në kufijtë e një lëvizje të lirë të shtuar, që ka shoqëruar të gjitha vendet ish-komuniste në këto 25 vjet.

Njësoj si Saliu flet Blushi edhe per varferinë, ndihmën ekonomike, borxhin publik, reformën në arsim, shëndetësi, reformën e pensioneve dhe të administratës. Helm e vrer spekulimesh të pastra politike.

Në pastrimet e territorit, në mbledhjen e detyrimeve të energjisë elektrike, apo luftën kundër ndërtimeve pa leje, Blushi shikon vetëm zi njësoj si Saliu! Po shyqyr që njerëzit e kanë kuptuar mirë se në këtë pjesë të parë të mandatit, po bëhen reformat më të mëdha që ndonjë qeveri ka ndërmarrë këto 25 vjet.

Natyrisht që çmimi i këtyre reformave është i dhimbshëm dhe ne kemi qenë gjithnjë të gatshëm t’i dëgjojmë dhe ti mbështesim me masa ligjore ata që preken nga këto reforma.

Por s’kemi çfarë t’i bëjmë atyre që janë të dëshpëruar pse bëhen këto reforma dhe me thënë të drejtën, as gjithë PD-ja nuk më është dukur kaq e dëshpëruar sa Blushi në këtë pikë. Edhe ata kur i dëgjon në kafen e parlamentit, i pranojnë të paktën pjesërisht këto reforma. Prandaj letra për socialistin s’ka asnjë lidhje me hallet e socialisteve, po ishte një sulm total ndaj Partisë Socialiste në prag të një fushate elektorale ku Blushi jep një alarm fallco kundër reformave të qeverisë sonë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button