Dhuna nuk është rruga jonë, mesazhi i Profetit është paqja

Ne mblidhemi çdo vit të gjithë së bashku nën çatinë shpirtërore të më të dashurit Zotit dhe të gjithë universit, jemi mbledhur nën atmosferën shpirtërore të përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të! Ne besojmë se çdo vend ku përmendet emri i tij, mbushet plot dritë, plot mëshirë e plot dashuri.

Ajetet kur’anore e përshkruajnë atë si mëshirë për botët. Kjo sigurisht që është një dhunti, një mirësi dhe urtësi, por në të njëjtën kohë është dhe një përgjegjësi të cilën Profeti Muhamed (a.s.) e përfaqësoi në mënyrën më të bukur, duke u bërë shembulli më i shkëlqyer, ku njerëzimi të frymëzohet, të motivohet, si dhe të referohet për të mirën, të drejtën dhe të gjitha virtytet.

Mendoj se programet festive në përkujtim të Profetit (a.s.) janë një rifreskim dhe riformim i marrëdhënies sonë me të, duke u bërë mik me të Dashurin dhe të Dërguarin e Zotit. Si mund të njihet ndryshe një udhërrëfyes, i cili ka jetuar më shumë se një mijë e katërqind vjet më parë? Duke rigjallëruar në mënyra të ndryshme kujtimin e tij të vyer, ne rifreskojmë besën me të. Për këtë arsye ne e kujtojmë sot përsëri, në këtë bashkësi të madhe, e përkujtojmë dhe e përshëndesim me dashuri e admirim të thellë.

Ai për ne është si një burim me ujë të kthjellët në zemër të shkretëtirës, si një rreze drite në errësirën e paanë. Me mëshirën e tij, një çelës profetik në duart e Hz. Muhamedit a.s., ai hapte zemrat e ngurtësuara dhe të ndryshkura, duke ndezur tek ata, pishtarin e besimit.

Kur’ani e përshkruan atë si një shembull morali të lartë, teksa thotë: “Padyshim ti je me virtyte madhore” (Kalem, 4). Profetët kanë qenë monumente të një morali të përkryer për popujt, bashkësitë ku janë dërguar dhe për gjithë njerëzimin. Nëse në një shoqëri pakësohen personat e virtytshëm, ajo shoqëri është e destinuar drejt humbjes. Një shoqëri e shkatërruar moralisht është e shkatërruar fizikisht dhe materialisht.

Prandaj themi se përkujtime të tilla nuk janë ditë të thata përkujtimi, por janë ditë prove të moralit tonë individual dhe shoqëror përballë moralit të Profetit tonë, Muhamedit (a.s).

Dashuritë e mëdha kërkojnë shpirtra të përkushtuar dhe i Dërguari i Zotit ishte shpirti më i përkushtuar. I Dërguari i Zotit na fton të jetojmë dhe të dhurojmë jetë. Na thërret të gjallërojmë njeriun dhe njerëzimin. Mesazhi i profetëve është jeta, të jetosh dhe t’i bësh të tjerët të jetojnë. Por fatkeqësisht, sot në botë, në shumë vende shohim vetëm grindje, përleshje, dhunë e mizori.

Motra dhe vëllezër!
Dhuna nuk është rruga jonë.
Ekstremizmi nuk është rruga jonë.
Radikalizmi nuk është rruga jonë.

Kjo nuk është rruga jonë, kjo nuk është as rruga e Zotit, kjo nuk është as rruga e Të Dërguarit të Zotit.

Profeti predikoi vetëm paqe dhe dashuri, rruga e tij është rruga e jetës, e dashurisë; rruga drejt unitetit për një jetë të paqtë dhe në harmoni me njëri-tjetrin, ndaj le të respektojmë kujtimin e Profetit (a.s), e të ringjallim mes nesh dhembshurinë, mëshirën dhe respektin.

Të gjithë ju vëllezër myslimanë, të dashuruar pas të Dërguarit të Zotit (xh.sh), të lidhur pas mirësisë, bukurisë dhe respektit, miq të zemrës dhe mysafirë të nderuar të dashuruar pas këtij vendi të bekuar!

Le të bëhet ditë e përkujtimit të profetit, motiv i vëllazërimit, dashurisë, paqes dhe lumturisë. Të tregohemi të dhembshur, të duruar, të sjellshëm dhe tolerantë.

Zemërimi, urrejtja, mosmarrëveshjet dhe përplasjet nuk mund ta mbajnë gjallë një shoqëri. Ne kemi nevojë për modelin dhe shembullin e Profetit Muhamed (a.s.), modelin e paqes dhe mirësisë. Duke ndjekur shembullin që ai la pas, le të ndërtojmë të gjithë së bashku dhe secili në veten e tij, një botë të paqtë, me dashuri e respekt për jetën dhe krijesat!

Kurrë mos e humbni shpresën nga Zoti i Madhëruar dhe lutjuni Atij për mirësi e begati.

Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe Shqipërinë tonë të shtrenjtë!

*Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Lajme të ngjashme

Back to top button