Maliqi: Shqiptarët në Maqedoni po e defaktorizojnë veten

Shkëlzen Maliqi, analisti dhe këshilltari i kryeministrit shqiptar Edi Rama ka komentuar ngjarjet e fundit në Maqedoni.

Maliqi ka thënë për “Epokën e re” se situata aktuale në Maqedoni është mjaft e komplikuar.

“Situata në Maqedoni nuk është shumë e qartë. Faktori shqiptar në Maqedoni, në vend se të bashkohet, është shumë i ndarë dhe kështu e defaktorizon vetën. Pra, faktori shqiptar në Maqedoni nuk paraqitet si një zë para palës maqedonase. Kështu që, edhe ndonjë intervenim nga jashtë nuk ka ndonjë adresë të qartë”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se ajo çfarë po ndodh tani në Maqedoni është relativisht e komplikuar.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të ndërhyjnë suksesshëm atje.

“Në këtë shtet pak ka hapësirë të bëjë diçka më shumë Kosova dhe Shqipëria, sepse faktori politik shqiptar atje që një kohë e ka bllokuar vetveten. Gara e brendshme që ata kanë për pushtet, e ul ndjeshëm pazarin e tyre. Nuk mund të ndihmoj dikush nga jashtë, nëse vetë shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë një zë të drejtpërdrejtë”, është shprehur Maliqi.

Më tutje, ai ka vlerësuar se Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të reja, duke bërë me dije se pas këtyre zgjedhjeve shqiptarët atje duhet të bashkohen në mënyrë që edhe dy shtetet shqiptare t’i ndihmojnë ata. “Atje situata po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Ndoshta do të duhej që BDI-ja të largohej nga qeveria dhe më pas shqiptarët e Maqedonisë të ndërtojnë një koalicion për interes të shqiptarëve atje, të cilin do të mund ta përkrahin Kosova dhe Shqipëria, në kuptimin që të zgjidhen problemet e shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Maliqi.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Faktori shqiptar ne Maqedoni eshte peng i interesave ekonomiko politike te nje grupi udheheqesish politike shqiptar te cilet tash sa vjet manipulojne me ardhmenine e shqiptareve ne kete shtet sllav.Ky trend interesash parcjale eshte edhe shkaku kryesor i mungeses se bashkimit te faktorit shqiptar

Back to top button