Thaçi: Marrëveshja e Ohrit garanci e realizimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni (BDI), Ali Ahmeti me të cili diskutuan rreth të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, për organizmin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë, si  dhe për gjendjen e sigurisë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thaçi tha se e çmon rolin dhe kontributin e Ahmetit për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe maturinë e dëshmuar të komunitetit të atjeshëm shqiptar, kurse për mbledhjen e qeverive të dy shteteve, tha se ajo do t’i konfirmojë standardet e përbashkëta për fqinjësi të mirë.

“Fakti që Kosova dhe Maqedonia të parat e kanë përfunduar demarkacionin e kufirit të tyre është edhe një dëshmi për raportet e mira ndërshtetërore. Republika e Kosovës e mbështet perspektivën euroatlantike të një Maqedonie, e cila do të përkushtohet për jetësimin e plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se ndanë mendimin me zëvendëskryeministrin Thaçi se Kosova e Maqedonia kanë projekte të rëndësishme zhvillimore para tyre dhe e çmon mbështetjen e zëvendëskryeministrit Thaçi në nivelet më të larta evropiane në Bruksel për jetësimin e projektit infrastrukturor “Korridori 8”.

“Mbështes fuqishëm politikat, nismat dhe dialogun në raport me anëtarësimin e Kosovës në OKB, por edhe dialogun me Serbinë që do të shërbejë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, theksoi Ahmeti.

Lidhur me zhvillimet e fundit pas sulmit në Gushincë, Ahmeti tha se askush nga komuniteti dhe krerët politikë shqiptarë nuk i mbështetë veprimtaritë e dhunshme në Maqedoni.

“Shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së problemeve në vend dhe kërkojnë jetësimin dhe materializimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke gëzuar kështu barazi të plotë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas”, shtoi Ahmeti.

Zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thanë se Kosova dhe Maqedonia mbështesin integrimet euroatlantike dhe se pajtimi, integrimi e ndërtimi i paqes nuk kanë alternativë në rajon.

Lajme të ngjashme

Back to top button