Stema shqiptare në librin e Barletit 1508-1510

Lexo pjesën paraprake: Stemat shqiptare në burimet heraldike

Barleti ka qenë prift katolik. Ka jetuar në Venedik e Romë ku i ka shkruar tri veprat e tij:

1) De obsidione Scodrensi. Kjo vepër e tij për herë të parë është botuar në Venedik në vitin 1504, e pastaj është ribotuar në vitet 1556, 1578 dhe 1596.

2) Compendium vitarum summorum potificium. . . imperatorum que Romanorum. Ky libër u botua për herë të parë në Romë në vitin 1555.

3) Historia de vita gestis Skanderbegi, Epiratorum princips, impressum per B. V. ; shtypur midis 1508 dhe 1510-ës. Ky libër na intereson më së shumti për shkak se në të gjenden të botuara dy stema shqiptare që i takojnë Skenderbeut. Kjo vepër e tij është njëra prej veprave më të botuara në Evropë në shekullin XVI. Në gjermanishte u përkthye dhe pat tetë botime, pikërisht në vitet 1533, 1537, 1561, 1577, 1578, 1597 dhe dy herë në vitin 1606; në Italisht qe ribotuar katër herë: në vitet 1554, 1560, 1568 dhe 1580; në portugalishte një herë, në Lisbonë në vitin 1567; në Polonisht në vitet 1568, 1569 dhe 1587; në frëngjishte në vitet 1576, 1593, 1597, 1604 dhe 1621; në spanjisht në vitin 1582 në Sevilë, 1588 në Lisabon dhe në Madrid në vitet 1592 dhe 1597; në anglisht në Londër në vitin 1596. Në shekullin XVIII, XIX dhe XX ky libër përsëri është ribotuar në vitin 1709 në Paris me titull Histoire De Scanderbeg, roi d’Albanie; në Zagreb në vitin 1743, e në Moskë në Vitin 1812 u përkthye në gjuhën greqishte. Në vitin 1964 u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe. E botoi instituti i historisë në Tiranë me titull : Martin Barleti, Historia e jetës dhe veprave të Skenderbeut. Prej këtij botimi shqip edhe unë i kam shfrytëzuar të gjitha këto të dhëna.

Si thamë në librin e tij “Historia devitaet gestis Scanderbegi”, të botuar midis viteve 1508 dhe 1510, ka dy stema shqiptare. Në botimin shqiptar të këtij libri në faqen 89 është botuar vula me stemën e Skënderbeut (fig 1). Ajo ka formë të rrumbullakët, në mes ka shqiponjë të bardhë dykrerëshe me fletë të hapura. Krerët e shqiponjave janë të kthyer, në dy anë të kundërta.

Figura 1.  Stema shqiptare ne librin e Barletit
Figura 1. Stema shqiptare ne librin e Barletit

Nga ana e majtë midis kokës dhe fletës së shqiponjës gjendet germa “D” e nga ana e djathtë “Al” që është shkurtim prej “Duca d’Albania”. Mbi krerët e shqiponjave gjendet ylli gjashtëkëndësh. Në rreth shkruan “Georgius Castriot Scanderbigo”. Kjo stemë nuk është krejtësisht e formuar heraldikisht për shkak se nuk ka mburojë, respektivisht amblem-shqiponjat nuk janë të vendosur në mburojë, por në rreth. Është interesante se amblemi-shqiponja është e bardhë, kurse në burime të tjera heraldike është kryesisht e zezë.

Figura 2.  Stema shqiptare ne librin e Barletit
Figura 2. Stema shqiptare ne librin e Barletit

Stema e dytë e Skënderbeut është plotësisht e formuar dhe gjendet në faqen 416 (fig. 2.). Ajo ka formë trekëndëshe ose formë të këtillë  f. d. 19 (varjaze).

Varjaze quhet për shkak se formë të atillë kanë pasur mburojat e varjazëve. Ky emër është pranuar në heraldikën e përgjithshme. Rëndësi të madhe ka fakti se kjo stemë është me viza heraldike dhe prandaj mund t’i lexohen ngjyrërat. Fusha është e shënuar me pika që në heraldikë e shënojnë ngjyrën e artë-të verdhë. Në mes të fushës gjendet shqiponja e zezë dykrerëshe me fletë të hapura. Dy krerët e shqiponjës janë të kthyer në dy anët e kundërta, e mbi ta gjenden dy kurora të vogla. Mbi krerë të shqiponjave gjendet një trekëndësh i shënuar me vija horizontale që në heraldikë shënojnë ngjyrën e kaltër. Në mes të këtij trekëndëshi gjendet ylli i bardhë gjashtëkëndësh. Ky amblem — shqipo-një e zezë dykrerëshe – më vonë do të hyjë në më shumë koleksione heraldike si stemë e familjes feudale shqiptare Kastrioti, e pikërisht me të gjitha shenjat siç është te Barleti, do të thotë me ngjyra të njëjta dhe me amblem të njëjtë. Për shkak se Barleti ka qenë bashkëkohës i Skënderbeut, nuk ka dyshim se stemat që i jep në librin e tij janë autentike. Ndoshta në saje të këtij libri janë ruajtur këto stema që më vonë kanë hyrë edhe në albumet ilir. Mua për çdo rast nuk më është i njohur ndonjë burim më i vjetër se libri Barletit, ku mund të gjendet stema e kësaj familjeje të njohur feudale shqiptare.

(VAZHDON)

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.

Lajme të ngjashme

Back to top button