Shqiptarët mund të udhëheqin Maqedoninë

Politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet të tejkalojnë aspektet personale. Të bashkohen në një listë të vetme për zgjedhje. Të dalin, të paktën, partia e dytë më e madhe atje dhe të udhëheqin shtetin drejt integrimeve në NATO dhe BE. Fuqia e shqiptarëve në Maqedoni është e pakontestueshme dhe kjo nuk duhet të nëpërkëmbet.

 Shqiptarët në Maqedoni mund të udhëheqin shtetin. Që prej këtij fundviti. Nëse duan dhe nëse tejkalojnë nivelin e personalizimit të politikës. Për këtë, thjesht duhet të mendojnë për popullin që përfaqësojnë, jo më veç për vete.

Çka mund të bëjnë shqiptarët në dhe për Maqedoninë?

Liderët politikë shqiptarë në Maqedoni duhet të ulen urgjentisht mes vete. Të ndërtojnë kazuën, vizionin dhe objektivat e përbashkëta. Të paktën, për tetë vitet e ardhshme, apo dy mandate qeverisëse. Ndoshta, për këtë duhet të ndihmojë Tirana dhe Prishtina, por pa përcaktuar rrugëtimin.

Pavarësisht dallimeve që mund të kenë partitë politike shqiptare në Maqedoni, ata duhet të gjejnë elementet e përbashkëta. Duhet të vendosin cila është kauza e tyre? Cilat janë objektivat politike të shqiptarëve atje? Të vendosin për katër objektiva kryesore, në kuadër të kauzës së përbashkët.

Në bindjen time, fuqia e shqiptarëve në Maqedoni është aq e madhe sa asnjëlloj procesi nuk mund të zhvillohet pa ta. Nuk mund të qartësohet asgjë pa ta. Nuk mund të arrihet asnjëlloj suksesi pa ta. Thjesht, janë shtet-ndërtues dhe si faktor i tillë duhet të njihen, respektohen dhe zhvillohen. Porse, nuk mund të jenë të respektuar si faktor nëse nuk e respektojnë veten dhe popullin e vet.

Këtë fuqi natyrore, shqiptarët në Maqedoni duhet ta përdorin. Për veten dhe për Maqedoninë. Për stabilitetin e atjeshëm dhe për stabilitetin e rajonit. Për Ballkanin në NATO dhe BE, sikurse edhe për përhapjen e demokracisë të konsoliduar.

Politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet të marrin rolin që u takon atje. Të bëhen gati për zgjedhjet e ardhshme, që me gjasë mund të ndodhin në vjeshtën e këtij viti. Porse, përgatitja për këtë kërkon tejkalimin e suazave personale.

Duhet që, së pari, të merren vesh se cila është kauza e përbashkët. E kjo mund të jetë: Shqiptarët – faktori kryesor në Maqedoni. Kaq. Pastër dhe thjeshtë. Sepse, e kanë këtë fuqi. Me numër të popullatës, me natalitet, me fuqi ekonomike, me shtrirje territoriale, me orientim pro-perëndimor. Të gjitha këto, fare qartë të dallueshme nga etnitë tjera.

Në kuadër të vendimmarrjes së përbashkët, shqiptarët është më mirë të vendosin për të hartuar një listë të përbashkët partiake për vjeshtën e këtij viti. Të garojnë të bashkuar, edhe pse mund të ruajnë subjektivitin partiak gjithsecili.

Me këtë logjikë dhe praktikë, shqiptarët mund të dalin, të paktën, partia e dytë në Maqedoni. Kjo u mundëson qartazi që të kenë fuqi të madhe vendimmarrje në qeverisjen e ardhshme. Pse jo, të kenë edhe kryeministrin, presidentin apo pozicione tjera udhëheqëse shtetërore.

Patjetër se kjo nuk do të ishte e vlefshme pa përcaktimin e qartë të objektivave politike të përbashkëta, në kuadër të kauzës së përbashkët.

Në bindjen time, politikanët e bashkuar shqiptarë në Maqedoni do të mund të vendosnin për, të paktën, katër objektiva të përbashkëta:

Objektivi i parë: Faktorizimi vendimmarrës shqiptar në institucionet shtetërore të të gjitha niveleve.

Objektivi i dytë: Ndarja afirmuese e buxhetit shtetëror për zonat ku jetojnë shqiptarët. Pra, jo vetëm ndarje proporcionale e buxhetit, por afirmative.

Objketivi i tretë: Integrimi në NATO dhe BE. Kjo, definitivisht, nënkupton se Maqedonia duhet të tejkalojë krizën e emërtimit dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Dhe, për këtë nuk janë përgjegjës vetëm maqedonasit. Janë shqiptarët, po ashtu, që duhet të kenë zërin e tyre në vendimmarrje.

Objektivi i katërt: Ri-rregullimi i raporteve të brendshme dhe marrëdhënieve me fqinjtë. Në të dy këto elemente, shqiptarët në Maqedoni do të mund të korrnin sukseset e shtetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Thënë më thjesht, politikanëve shqiptarë në Maqedoni nuk u falen më teket personale apo qasjet selektive. Mos të bëhen edhe më tutje shkaktarë të nëpërkëmbjes së fuqisë së pakontestueshme të shqiptarëve në Maqedoni.

Të bashkohen në një listë të përbashkët, të procedohet me zgjedhje të parakohshme dhe të marrin rolin udhëheqës që u takon.

Lajme të ngjashme

Back to top button