Basha: 21 qershori, dita e gjykimit politik për dyshen Rama-Meta (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh sot nga qyteti i Gjirokastrës së 21 qershori është dita e gjykimit politik për dyshen Rama-Meta.

“Në të gjithë Shqipërinë qytetarët janë bashkuar si asnjëherë më parë dhe po presin me padurim ditën e votimit, për t’i dhënë ndëshkimin e merituar, dyshes Rama – Meta. 21 qershori është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, është dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama – Meta”,- deklaroi Basha ndërsa prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në Gjirokastër Igli Kokalari.

“Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Ju a them unë se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend, për t’u dhënë ndëshkimin e merituar”,- ishin fjalët e z. Basha.

Sipas Bashës, qeveria i ka vënë qytetarëve lakun në fyt me pabesitë e saj, me mashtrimet e saj, me taksat, me arbitraritetin e saj, me rritjen pa kufi të taksave, me rritjen e çmimit të energjisë të cilin premtoi se do ta ulte, me rritjen e çmimit të naftës.

“Gjirokastritët nuk do të pranojnë të qeverisen nga Gjiri i Lalzit, por do ti besojnë votën Igli Kokalarit”,- tha kreu i PD-së ndërsa shtoi se Rama-Meta kërkojnë votën e qytetarëve për të miratuar politikën e lakut në fyt.

“Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me votën tuaj, me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër por në Gjirin e Lalzit. Bashkisë së re të Gjirokastrës, qytetarëve të rinj e të vjetër të këtij qyteti e çdo komune, një njeri i sprovuar në shërbimin ndaj tyre, një njeri që urdhrat nuk do i marrë as nga Tirana e as nga Gjiri i Lalzit por do i marrë nga gjirokastritët dhe ky është Igli Kokalari”, u shpreh kryedemokrati. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button