Të jetosh në Kosovë: Të ardhura afrikane, e çmimet evropiane

Qytetarët e Kosovës, pavarësisht që të ardhurat e tyre janë shumë më të vogla se të atyre të vendeve të Bashkimit Evropian, paguajnë çmimet e njëjta të konsumit, e në disa raste edhe më të larta.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë, thonë se 40 për qind e produkteve që konsumohen në Kosovë, vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Ndaj, Nami Gashi thotë se importi i këtyre produkteve bën që çmimet të jenë më të shtrenjta në Kosovë sesa në vendet e BE-së.

“Konsumatorët kosovarë paguajnë transportin dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të këtyre produkteve. 40 për qind e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun e Kosovës janë më të shtrenjta se në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa të ardhurat për kokë banori për qytetarët e Kosovës janë disa herë më të ulëta se së vendet e BE-së”, thotë Gashi.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013 (të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës), rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro.

Gashi thekson se për ta përmirësuar këtë gjendje, Kosova duhet të shënojë rritje ekonomike dyshifrore. Por, kjo rritje nuk mund të arrihet.

“Bllokada institucionale për gjashtë muaj që ishte, do ta ketë efektin e vet në zhvillimet makro-ekonomike në vitin 2015. Megjithatë, lehtësirat fiskale që është duke i bërë Qeveria e Kosovës në të bërit biznes, mund t’i japin efektet e veta në gjysmën e dytë të vitit 2015, mirëpo nuk do ta kemi rritjen që dëshirojmë”, shton Gashi.

Qytetarëve të Kosovës ua kanë ndihmuar përmirësimin e standardit jetësor, të ardhurat që kanë nga diaspora. Sepse, rritja ekonomike në Kosovë viteve të fundit ka shënuar rënie. Nga 5.39 për qind sa ishte në vitin 2010, ajo gjatë këtij viti do jetë 3 për qind.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, konsideron se Kosova i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim më dinamik, mirëpo se zbatimi i politikave ekonomike nuk është në drejtim të duhur.

“Nëse nuk do të bëjmë një ndryshim radikal, duke filluar nga të gjitha politikat që nxisin zhvillimin ekonomik, situata do të jetë tepër e rëndë dhe pa perspektivë”, vlerëson Shatri.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është mbi 30 për qind. Pagat, po ashtu, vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në sektorin publik, paga mesatare mujore është 441 euro, kurse në sektorin privat, paga mesatare është 228 euro në muaj. /REL/

Lajme të ngjashme

Back to top button