ANALIZË: Që të ketë pensione, do të ketë hua të reja!

Mijëra qytetarë pas disa ditësh do të kenë mundësi ta blejnë stazhin. Paralajmërimi i qeverisë, që u publikua gjatë krizës politike, se do t’u ofrohet mundësi qytetarëve që ta realizojnë të drejtën për pension, e në disa raste të sigurojnë edhe pensione më të larta, me shpejtësi u shndërrua në zgjidhje ligjore. Fondi pensional, i cili edhe tani ballafaqohet me probleme financiare, duhet të përgatitet për fluks të mundshëm të madh të pensionistëve të rinj, konsiderojnë ekonomistët. Ku çon kjo zgjidhje dhe a do të rrezikohet likuiditeti i fondit, e me këtë edhe pagesa e rregullt e pensioneve?

A do të ketë pensione të rregullta për pensionistët e ardhshëm?

Që të realizohet masa, me të cilën do të mundësohet blerja e stazhit që të realizohet e drejta e pensionit, së pari duhet të bëhet analizë e detajuar për pasojat, para së gjithash mbi gjendjen financiare të Fondit edhe ashtu problematik për sigurim pensional dhe a nuk do të rrezikohet pagesa e pensionistëve të ardhshëm, vlerëson një pjesë e ekonomistëve.

“Fondi pensional edhe deri tani është ballafaquar me probleme që të sigurojë para për pagesën e pensioneve. Ajo që është me rëndësi është se ne kemi trend të rritjes së kufirit të moshës, ndërsa numri i të punësuarve mbetet i njëjtë, përveç në disa sektorë, si për shembull në sektorin publik. Burime fiskale për financimin e pensionistëve të rinj nuk ka për shkak se nuk ka hapje të vendeve të reja të punës që do të sigurojnë të hyra për fondin. Mënyra e vetme nëpërmjet së cilës do të siguroheshin para janë huatë dhe këtë praktikë jemi duke e parë tashmë 5-6 vite”, shprehet për Portalb, profesori universitar Semi Bislimi, i cili sqaron se Maqedonia do të mund të marrë hua nga jashtë derisa nuk arrihet një nivel serioz i varësisë nga kreditorët, të cilët në fazën e ardhshme do ta ndërpresin financimin me çka vendi, gjegjësisht ekonomia do të ballafaqohet me probleme.

Sipas vlerësimeve, mundësi për blerje të stazhit do të kenë rreth 200.000 qytetarë të cilëve u mungon stazhi i punës që të kenë pension. Sipas paralajmërimeve nga qeveria, kjo masë ka të bëjë me personat që kanë punuar gjatë periudhës së tranzicionit, ndërsa kompanitë nuk ua kanë paguar stazhin. Një pjesë e kategorisë që do të përfshihet me këto masa janë edhe personat që tashmë janë në pension, mirëpo për shkak të stazhit të vogël marrin pensione më të vogla, si dhe personat që akoma punojnë, mirëpo të cilëve u mungon stazhi që të pensionohen. Manastirasit mendojnë se masa është pozitive, mirëpo thonë se së pari duhet të miratohet që të shihet se sa do të paguhet për blerjen e stazhit.

Përderisa zgjidhjet ligjore janë në fazën përfundimtare, analizat e ekonomistëve flasin për të dhëna alarmante. Varësia e Fondit pensional nga buxheti e tejkaloi nivelin prej 40%, e cila konsiderohet si një kufi për qëndrueshmëri.

“Pagesa e pensioneve në vitin 2013 që u sigurua nga buxheti qendror arriti në vlerën mbi 50%. Kjo do të thotë se mbi gjysma e shumës së pensioneve të paguara janë siguruar nëpërmjet buxhetit qendror dhe/ose me anë të huave, për të cilat, përsëri do të paguajnë të gjithë qytetarët, njëherë nëpërmjet kontributeve dhe për së dyti nëpërmjet tatimeve”.

Para se të rekrutojë pensionistë të rinj, qeveria duhet të sigurojë të hyra për financimin e pensioneve, e kjo duhet të bëhet nëpërmjet punësimeve të reja, të cilat do të sigurojnë të hyra në bazë të kontributeve, thonë ekonomistët.

“Raporti aktual pensionist-i punësuar nuk është i qëndrueshëm, ne çdo vit kemi gjeneratë të re prej rreth 22 mijë njerëzve të aftë për punë, persona që kanë arritur moshën e pjekurisë, ndërsa nga ana tjetër, kemi rreth pesë mijë punësime të reja në vit. Veprimi aktual për blerjen e stazhit konsideroj se është bërë në kontekst politik, që të ruhen votuesit aktualë dhe eventualisht të përfitohen të papërcaktuarit, mirëpo, përsëri them, se kjo do të jetë një goditje për Fondin pensional, i cili edhe tani nuk ka nivel të qëndrueshëm dhe varet nga dotacionet nga buxheti”, sqaron profesori Bislimi.

Përkeqësimi i gjendjes financiare në fondin pensional u regjistrua fillimisht pas realizimit të reformës pensionale dhe formimit të sistemeve private pensionale, e pastaj dhe me rritjen e vazhdueshme të lartësisë së pensioneve, në një gjendje kur arka e Fondit ballafaqohet me probleme të likuiditetit. Një pjesë e tyre u konstatuan edhe nga Revizori shtetëror.

“Rritja e numrit të shfrytëzuesve të pensioneve, si dhe harmonizimi i pensioneve në vitin 2012, ndikoi që të ketë mungesë të mjeteve për pagesën e pensioneve, dhe si rezultat i kësaj për çdo vit rritet varësia e Fondit nga huazimi i mjeteve nga buxheti i RM-së. Për mbulimin e deficitit buxhetor, mjetet e paguara nga buxheti i RM-së marrin pjesë me 22%”, vlerësuan revizorët.

Dallimi ndërmjet atyre që marrin pension dhe atyre që e mbushin arkën e Fondit është duke u zvogëluar – alarmojnë ekspertët. Sipas llogaritjeve të FSPI-së, në 1,8 të siguruar ka 1 pensionist, raport ky që objektivisht duhet ta ndezë alarmin për qëndrueshmëri afatgjate të fondit për pagesë të rregullt të pensioneve.

“Ne kemi problem serioz me Fondin për sigurim pensional. Problemi i tillë ekziston çdokund edhe në Evropë, mirëpo te ne kjo gjendje është endogjene, për shkak se intensiteti i përkeqësimit është shumë i fuqishëm. Para pothuajse njëzet vitesh, gjegjësisht në vitin 1996, ne kishim raport tre të punësuar me një pensionist. Sot ai raport është 1,6 të punësuar me 1 pensionist, që do të thotë se ai raport është përkeqësuar për dy herë” – vlerëson për Portalb profesori universitar dhe akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, që të mbushet zbrazëtira aktuale në arkën e FSPI-së duke siguruar të hyra në bazë të sigurimit pensional, nevojiten 200 mijë punësime të reja.

Lajme të ngjashme

Back to top button