Kotevski: Ka aksion policor në Malinë

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme së Maqedonisë, Ivo Kotevski në një prononcim për Portalb thotë që ka një aksion policor në fshatin Malinë të Kumanovës. Ai pranoi se nuk di asgjë më shumë se informatat jozyrtare se në këtë fshat që në orët e hershme të mëngjesit zhvillohet aksion policor. Ai nuk shpalosi shkaqet.

“Të mbarojë e gjitha dhe më pas ju tregoj se çfarë po ndodh. Besoj është akson për përndjekje të kriminelëve. “tha Kotevski.

Ndërkaq, zëvendësministri i brendshëm Zemri Qamili na tha se “është shumë i zënë” dhe nuk u prononcua.

Gazeta “Koha” nëpërmjet telefonit kontaktoi me kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Malinë, Veli Saliun, i cili e konfirmoi gjendjen kaotike që është shkaktuar me prezencën e madhe të forcave policore dhe ushtarake.

“Nga ora 3 e mëngjesit kanë ardhur rreth 500 policë dhe policë kufitare, dhe pa asnjë arsyetim, kanë filluar të kontrollojnë shtëpi për shtëpi. Me mjete të rënda artilerie, me helikopterë, autoblinda po qëndrojnë në fshat. Në oborrin e çdo shtëpie janë vendosur nga 10-15 policë të veshur me të zeza, njësite speciale dhe të armatosur deri në fyt”, ankohet Saliu. Ai thotë se në mesin e këtij grupi të madh të policëve ka vetëm tre-katër shqiptarë. “Këtu në fshat janë afër 500, por me siguri në mal janë më tepër. Deri tani i kanë bastisur disa shtëpi, në të cilat nuk ka banuar askush. Si duket, deri në darkë do të mbesim të bllokuar në fshat. Presion të madh na kanë krijuar”, u shpreh Saliu.

Gazeta “Lajm” ka arritur të kontaktojë me disa banorë të fshatit Malinë, të cilët e kanë përshkruar situatën momentale në këtë fshat.

“Jemi të rrethuar nga forcat policore. Janë futur nëpër oborret e shtëpive të fshatit i gjith fshati është përplot me transporterë policorë, kurse po i vërejmë edhe në malet përreth. “, deklaroi për “Lajm” banorja e këtij fshati, Ganimete Saliu.

Ajo thotë se deri tani nuk janë dëgjuar të shtëna armësh e as shkëmbim zjarri. Mirëpo frika te banorët është evidente.

“Policët janë të armatosur deri në dhëmbë. Helikopterët fluturojnë pandërprerë. Më së tepërmi po frikohen fëmijët, mirëpo frika është prezente edhe te banorët tjerë” shton ajo.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button