Patriotët me “bateria” VMRO dhe BDI!

Para tre viteve ju kujtojmë dramën e cila u shkaktua në opinionin e Maqedonisë për shkak të insistimit të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE për të pasur Ligj tjetër për ish pjesëtaret e forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë që mori epitetin ligji për “Branitella” duke lënë jashtë ish ushtarët e UÇK-së. Nën orkestrën e kësaj partie luajti edhe ajo shqiptare në pushtet, BDI e cila fuqishëm insistonte që ky ligj mos të miratohet.

Nga materialet e djeshme që zbardhi opozita maqedonase LSDM, të quajtura “bomba” dëgjohen bisedat mes funksionarëve të VMRO dhe BDI në atë kohë, nga të cilat zbulohet se në fakt, e gjithë kjo torturë publike verbale ka qenë një inskenim i dy partnerëve në Qeveri për qëllime të përftimit politik në kurriz të patriotizmit dhe nacionalizmit.

Skema fillon kur ish ministri i mbrojtjes, tani i euro-integrimeve Fatmir Besimi shkoi në fshatin Sllupçan për ti nderuar të rënët shqiptar të konfliktit të 2001-shit. Nga kjo “tronditje politike” dhe “shkelje të dinjitetit maqedonas” si që thotë kryeministri Nikolla Gruevski në një bisedë me një deputete të VMRO-së, lind ideja të përpilojë ligj për “Branitellat” duke mos përfillur UÇK-në në të, por një Ligj që kurrë s’do të kalojë sepse “do ta ruajnë” për pazare më të mëdha me BDI-në.

Tjetra është histori dhe zhvillim “i natyrshëm” i ngjarjeve: deklarata të nxehta politike, shantazhe dhe tregim muskujsh politik nga të dy partitë, pompozitet medial dhe nxitje të shkëndijave ndëretnike përderisa në prapaskenë shefi i inteligjencës Sasho Mijallkov dhe ministri Musa Xhaferri koordinoheshin që “gjithçka të jetë njëjtë” e mos të kalojë ky ligj.

Madje, BDI propozoi 15.451 amendamente për këtë propozim ligj, me qëllim të bllokimit të tij ndërsa Talat Xhaferi heshte dhe lexonte poezi në seancat kuvendore (shih video më poshtë). Publikisht na bindnin se “Ky Ligj do të kalojë” (Nikolla Gruevski) dhe “Ky Ligj nuk kalon,”(Ermira Mehmeti) ndërsa prapa kulisave gjithçka ishte e qartë në pazarin partiak.

Teatër politik i VMRO dhe BDI-së në kurriz të ndjenjave të popullit

“Në kohë kur të shahesh nga të tjerët shihesh si hero, nuk më çudisin pazarllëqet e politikanëve për fatin e veteranëve të luftës, të cilët për përfitime partiake herë përdoren si heronj e here si kurrgjë, më çudit fakti që behet zhvlerësim total i jetës të çdo individi në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit. Tani më është e qartë mënyra se si politikanët e nënçmojnë dhe ofendojnë inteligjencën e çdo qytetari,  dhe kjo mund ti kthehet si bumerang atyre që u pasuruan në emër të patriotizmit, nacionalizmit dhe etnocentrizmit” shprehet për Portalb, Albert Hani nga Qendra për Menaxhim të Konflikteve.

Për gazetarin Xhelal Neziri është më shumë se skandaloz ky teatër politik i qeverisë VMRO-BDI.

“Të bësh shfaqe politike duke keqpërdorur dhe manipuluar ndjenjat  kombëtare të shqiptarëve dhe maqedonasve është më shumë se një çmenduri. Të gjithë ne që ndjekim dhe analizojmë proceset në Maqedoni kemi paralajmëruar opinionin se rasti i ligjit të “branitellave” nuk është gjë tjetër, veç se një teatër politik për rritjen e përkrahjes duke ndezur zjarrin ndëretnik. E gjithë ajo që kemi lajmëruar del të jetë e vërtetë jo vetëm në këtë rast, por edhe për çështjet tjera. Në vend të një debati të sinqertë dhe të argumentuar për të arritur deri të zgjidhja më e mirë, VMRO dhe BDI tërë kohën kanë siguruar përkrahjen te bashkësitë e tyre etnike duke shfaqur konflikte të sajuara në opinion. Një manipulim klasik, i turpshëm dhe i rrezikshëm  i cili në vendet me shoqëri normale do të kishte marrë dënimin më të ashpër.” shprehet për portalb, Neziri.

Në Maqedoni do të bëhet më keq?

I konsultuar nga Portalb, analisti politik Petar Arsovski thotë që skenarët e pushtetit duke përfshi edhe tensione të ndryshme do të shohim më shpesh tani në opinion pasi që jemi në një krizë të madhe politike.

“Nuk e përjashtoj mundësinë të kemi tronditje më serioze sociale madje edhe sigurie në vend. Nga mënyra se si shkojnë punët besoj që do të ketë tensione më të mëdha se ajo e Gushincës” thotë Arsovski.

Ai shton se ka një kohë të gjatë që partitë politike në Maqedoni, posaçërisht ata maqedonase i shfrytëzojnë marrëdhëniet etnike për marketing dhe rejting të tyre politik.

“Ky është një akt jo-parimor sepse nuk duhet që marrëdhëniet ndëretnike si një element kyç i një shoqërie multietnike të keqpërdoren për ngjarje ditore politike. “Bombat” e djeshme të opozitës e treguan këtë, posaçërisht pjesa për Ligjin për “branitella” ku shihet se ai projekt ka qenë i dedikuar vetëm për pazare të thjeshta politike. Pasi që dy taborët politike në vend, maqedonas dhe shqiptar kanë qëndrime të ndryshme në vend, duhet që këto qëndrime të afrohen e jo të përdoren për rritje rejtingut të tyre me përçarje edhe më të madhe. “shprehet për Portalb, Arsovski.

Nga ana tjetër, Hani është i mendimit që nacionalizmit dhe patriotizmit të rrejshëm i vjen fundi.

“Kuzhinat e politik-bërësve të cilët në mungesë të kreativitetit dhe ofertave konkrete për përmirësimin e kushteve për jetesë, duhet të brengosen edhe me tej për mënyrën se si krijojnë frikë dhe imazhe armiqësore për të tjerët.  Të gjithë simbolikat e shumta nëpër qytete, që i joshin qytetarët të shihen mes veti si armiq, do ta hupin kuptimin, ndërsa deshëm ose jo, të gjithë gjërat që i kanë bërë veteranët e luftës do të mbesin si pjesë e trashëgimisë kulturore si, kujtesës dhe historisë. Tani është lehtë nga Hero të bësh Zero dhe nga Zero të bësh Hero, por padrejtësia nuk duron dhe nuk harron.”shprehet Hani.

Ligji u humb në labirinthet parlamentare.
Pas bojkotit të opozitës maqedonase, e cila i jepte përkrahje pa rezervë VMRO DPMNE-së për këtë ligj, VMRO nuk ka kuorimin e mjaftueshëm për debat rreth këtij ligji. Vetëm me anëtarët e tyre në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, pa ato të LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, nuk mund të vazhdon seanca e këtij komisioni lidhur me këtë ligj.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Çeverisjet kriminele në xhdo shtet të botës jan denuar sikur qeverisja e Millosheviçit, Sadamit, Gadafit Berluskonit , ktë e garanton shteti Gjermanisë, popullit Gjerman i vjellet nga kësi çeveritar kështu çë edhe këtyre psikopatave ju erdhi fundi Shqiptar servilëve dhe sllavomaqedonasve hajna.Dhe një dit do të denohen.

Back to top button