Nuk mbaron tmerri në Nepal, tre tërmete të tjera tronditën vendin

Lëkundje sizmike janë shënuar edhe ditën e dielë në Nepal. Tre tërmete të tjera tronditën vendin, ku më i rëndi ishte me magnitudë 6.7 ballë, dhe epiqendra ishte në qytetin Kodar.

Ndërkaq, ekipet e shpëtimit në Nepal kanë intensifikuar punën e tyre pasi më shumë se 2 mijë persona kanë vdekur në tërmetin që goditi kryeqytetin, ditën e shtunë.

Shumë shtete dhe shoqata ndërkombëtare kanë ofruar ndihmën e tyre ndaj Nepalit për të përballuar pasojat e katastrofës. 70 persona kanë humbur jetën në malin Everest si pasojë e orteqeve të shumta. Bilanci i viktimave mund të rritet, pasi situata është ende kaotike në disa zona, në të cilat ekipet e shpëtimit e kanë të pamundur që të ndërhyjnë, transmeton Abcnews.

Ndërsa të plagosurit numërohen të jenë mbi 5 mijë. Të shumtë janë personat e plagosur që janë dërguar në spitalin e kryeqytetit Kathmandu. Mjekët janë në pritje të një fluksi të ri të pacientëve, ku dhe ngrejnë shqetësimin rreth medikamenteve që po mbarojnë. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit kanë punuar gjithë natën e së shtunës në kërkim të të mbijetuarve.

Një officer i ushtrisë së Nepalit, tha për Reuters se edhe ushtria është përfshirë në operacionet e shpëtimit, dhe theksoi se mund të ketë ende persona të gjallë që kanë ngecur nën rrënoja.

Lajme të ngjashme

Back to top button