Libia nën dhunë: Europa na braktisi

Tmerri i publikut ndaj mbytjes së qindra emigrantëve në Mesdhe e ka kthyer sërish vëmendjen tek Libia, që 4 vjet pas përmbysjes së Muammar Gaddafit ende përpëlitet për stabilitet.

Perëndimi premtoi se do ta ndihmonte ndërtimin e demokracisë në vend, por me dy qeveri rivale dhe kombin të zhytur në kaos, me trazira dhe rrënim, ajo shpresë thërrmohet dita-ditës.

Përfituesit më të mëdhenj prej vakumit politik mbeten grupet paraushtarake, që kontrollojnë të pashqetësuara zona të tëra të vendit. Nuk janë të paktë ata që mendojnë sot se Libia është lënë në harresë.

“E vërteta është se Europa e braktisi Libinë dhe sot ngre zërin dhe thotë se ne përbëjmë një kërcënim të madh për të. Por arsyeja e gjithë kësaj situate është se ju na latë vetëm”, ka deklaruar Fathi Bashagha, nga fraksioni pro-Unitetit.

Aktualisht në Libi sundon një ligj i vetëm: ligji i armëve. Qytetet janë vënë kundër njëri-tjetrit, fiset po ashtu. Ndërhyrja e Perëndimit do të kishte qenë mëse e mirëpritur. Shumë libjanë mendojnë se neglizhenca e Europës është pjesërisht përgjegjëse për vdekjet e emigrantëve në detin Mesdhe.

Qeverisja është shembur prej kohësh dhe tani, thotë Quentin Sommerville i BBC, asgjë nuk i pengon trafikantët e njerëzve t’i shfrytëzojnë lirisht brigjet e këtij vendi.

Premtime bujare iu bënë lirisë në fillimin e Pranëverës Arabe, por duket se Siria, Iraku dhe Shteti Islamik arritën ta tërheqin më shumë vëmendjen e botës.

Kriza megjithatë i ka rrënjët më të thella. Për kilometra të tërë kufiri i këtij shteti me pjesën tjetër të Afrikës është tërësisht i hapur e pa asnjë kontroll.

Të pakta janë patrullat kufitare, e siç rrëfejnë pjesëtarët e tyre, burimet janë shumë të pakta e pjesën më të madhe të punës e bëjnë vullnetarisht.

Këtu s’ka qeveri, thonë ata, dhe Europa nuk po na ndihmon. Paralajmërimi që mbërrin tani nga Libia është se, përsa kohë kufijtë e saj do të jenë të pasigurtë, të tillë kanë për të qenë edhe ato të kontinentit të vjetër./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button