Ku jam unë!

“…kushdo që e lartëson veten do të poshtërohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartësohet” Isai a.s

Duke vështruar sjelljet e individëve të ndryshëm në përditshmërinë tonë, mund të konstatojmë se çdokush kërkon respekt, lartësim, lavdërim, emër…ndërsa as nuk respekton, nënvlerëson, nënçmon, nëpërkëmb…dhe është mendjemadh. Të analizosh sjelljet e njerëzve në shoqërinë tonë, habitesh! Të shkon ndërmend sikur këtyre njerëzve asnjëherë nuk do u vijë fundi! Janë aq të sigurtë në veten e tyre, aq vetëbesim kanë, aq arrogancë, aq pushtet saqë vërtetë mendon se: a thua ky njeri çdoherë do të jetë këtu ku është?! Të tjerët llogariten si miza pranë tyre. Të nënshtruar, të përulur, të shkelur, të frikësuar…!? Mendon ti se  çfarë është e gjithë kjo frikë ose i gjithë ky respekt ndaj këtyre njerëzve?! Vallë askush nuk mendon se të gjithë janë njerëz dhe vetëm janë në shërbim të njerëzve dhe asgjë më tepër, dhe një ditë do u vijë fundi edhe atyre, bile do vijnë në një gjendje që askush nuk do të dëshirojë tu afrohet, nga trishtimi  për gjendjen e tyre (trupin e ftohur, të ngrirë dhe erën e rëndë-të vdekjes së trupit të tyre)?! Eh, siç duket se mendon asnjëra palë këtë fakt! Kush ka jetuar i përjetshëm në këtë botë?! Kush është shpërblyer me të mirë për veprat e këqija të tij?! Kujt i është dhënë pushtet i përhershëm?! Kujt i është dhënë pasuri e pa shterrshme në këtë jetë?! Kush ka pasur bukuri të pa prishur ?!…Askujt, apo! Për secilën gjë ka fillim dhe fund. E sidomos për ata që janë mendjemëdhenj fundi është edhe më i vështirë!

Përse vallë të jemi arrogantë, egoistë, mendjemëdhenj, krenarë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, kur ne nuk kemi asgjë në dorë. A mendojmë se ku ishim dikur që sot erdhëm në këtë pozitë (qoftë pozitë në pushtet apo në shoqëri)?! A nuk isha unë mu ai që nuk kishte bukë të hajë e as tesha të vesh, e që sot sillem në këtë mënyrë me të tjerët?! A nuk isha unë ai që me ditë rrija pa bukë e që të mbaroj shkollën(studimet) me sukses?! A nuk isha unë ai që dikur më nënçmonin njerëzit për pozitën që kisha në shoqëri?!…A nuk e shtyjnë vallë pyetje të këtilla njeriun që të ndalet dhe të mendojë pak për qetësinë e tij shpirtërore dhe shoqërore!

A mendon dikush se pse vallë duhet të jem mendjemadh ose i përulur!? Nuk është puna të jesh i përulur dhe të të shkelë çdokush. Të të torturojnë e të të shtypin. Përulësi do të thotë që të sillesh mirë me çdo njeri por edhe me gjallesat e tjera që ekzistojnë. Përulësi do të thotë që  të kesh ndërmend për mirësinë që ke, ndaj asaj që dikur se kishe. Përulësi është të shërbesh të tjerët me aftësinë dhe mundësinë që ke. Përulësi është edhe sjellja e mirë ndaj sjelljes së keqe. Përulësia është pjesë e pa ndarë e urtësisë dhe qetësisë shpirtërore. E qetësia shpirtërore të çon në qetësi shoqërore.

Nuk është fjala që të mos bësh asgjë. Por, fjala është të bësh çdo gjë që është në aftësinë tënde psiqike, intelektuale, edukative dhe fizike por duke mos shkaktuar dëm tek të tjerët. Nuk është fjala që mos të punosh dhe mundohesh në jetë, por fjala është që të punosh (jesh konkurrent), mundohesh sa më shumë që mundesh, por mos i bësh dëm askujt. Fjala është që me përulësi, modesti, mençuri dhe punë të arrish gjithçka që mundesh. Dhe jo me arrogancë, egoizëm, gënjeshtra, manipulime, kurthe, amoralitet, mendjemadhësi të arrish aty ku dëshiron të arrish. Fundja, e para e ka përfundimin e mirë ndërsa e dyta e ka përfundimin e keq.

 “Mendjemadhësi konsiderohet atëherë kur njeriu mohon të vërtetën, kur i konsideron të tjerët më të ulët se sa veten e tij, shikon me përbuzje dhe mospërfillje dhe sillet ashpër me ta” Muhamedi s.a.w.s  

Askush nuk mbeti përjetësisht në këtë botë, po as që ne do të mbesim. Askush nuk mbeti përjetësisht në postin e tij, po as ne që do të mbesim. Askush nuk mundi që të jetë i pavarur në arritjet e tij, po as ne që do të mund të jemi. Çdokush humbi çka kishte në këtë botë po edhe ne do të humbim. Dhe çdokush varet nga njëri-tjetri për arritjet e tij, por edhe ne do varemi. Mbështetja tek njëri-tjetri, përkrahja, korrektësia, drejtësia, morali I lartë, modestia, përulësia dhe vlerat e tjera morale jo që do të ndalin mos të vijë fundi për ne, por  edhe kur të vijë fundi të jetë  i  dobishëm për ne dhe shoqërinë tone…

Lajme të ngjashme

Back to top button