Vlon nga pakënaqësia në Burgun e Shutkës

Në kohën e mbipopullimit të burgjeve vendore, gjykatat vazhdojnë të rëndojnë edhe më shumë gjendjen dhe kushtet në të cilat jetojnë personat e privuar nga liria.

Sipas shumë vlerësimeve, ankesat shumëvjeçare që kanë të bëjnë me shqiptimin e shpeshtë të masës së paraburgimit në asnjë moment nuk e kanë humbur aktualitetin. Ankesat e radhës që kanë të bëjnë me paraburgimin këtë herë vijnë nga Burgu i Shutkës, shkruan Koha.

Sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e personave që janë në paraburgim në qelitë e këtij burgu ditëve të fundit kanë arritur të alarmojnë institucionet, duke filluar një grevë. Pakënaqësia dhe revolta e kësaj kategorie është vërtetuar nga zyra e Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e të cilës të mërkurën kanë vizituar ambientet e burgut të Shutkës.

“Ne rregullisht vizitojmë burgjet dhe kontrollojmë gjendjen. Në rastin konkret u njoftuam nga shtypi ditor. Sipas informatave të marra nga media, në Shutkë të martën kishte filluar një grevë urie. Megjithatë, nuk mund të themi se ka pasur grevë klasike, por administrata e burgut pranoi se ka paralajmërime për nisjen e një greve. Ekipi ynë për katër orë me radhë bisedoi me personat që vuajnë masat e shqiptuara në burgun e Shutkës dhe me administratën e tij, duke konstatuar se ankesat kryesisht kanë të bëjnë me stërzgjatjen e proceseve gjyqësore, por edhe me vazhdimin e masës së paraburgimit”, tha Avokati i Popullit, Ixhet Memeti.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button