Dhurata

Çdo ardhje e saj bujshëm, rregullisht don të thotë debllokim i energjive dhe paralajmërim se diçka e bukur apo e dobishme së shpejti do të na ndodhë.

Ajo është rast egzakt për goditjet e pamëshirshme të fatit që paradoksalisht bashkëdyzojnë në një pikë pajtimin me fatin dhe gadishmërinë e të bërit çmos për amortizimin e goditjeve. Kushërira ime dëshmon në njëjës për fatalitetin e sedrave dhe gabimeve të mjekëve: derisa ata kanë bërë inate se dijagnoza dhe terapia e kujt janë më tamam, bebja deri atëherë mirë e zhvilluar është dergjur nga zjarmia në korridoret e spitalit.

I dëshpëruar por hazarder, enishtja automekanik shet çka ka, blen kamion dhe vitet e ardhshme bart mallëra nëpër Europë që të fitojë mjaftueshëm për shpenzimet e rehabilitimit të së bijës në klinikën në Nova Goricë. Atje në ndërtesën e vjetër që shkëlqen nga pastërtia dhe rendi, rrethuar me gjelbërime dhe rekuizita fëmijërore, ajo i kaloi vitet e para të fëmijërisë në duart shëruese të mjekëve dhe motrave plot dashuri. Diçka u sanua, diçka mbeti vragë për tërë jetën.

Kur shkuam për mirëseardhje pas kthimit të saj nga Gorica, unë rrija si e shtangur, e shikoja vjedhurazi dhe pa fjalë kushërirën e posaardhur, me atë frigën instinktive për të panjohurën që fëmijët e ndjejnë natyrshëm. Disa fjalë ose fjali që arrinte të formulojë ishin në sllovenishte, ashtu i ka edhe sot përpjekjet për komunikim. Nuk ishte e palëvizshme si dikur, por nuk fliste si fëmijët tjerë. Nëna me të vërejtur stepisjen time, më pëshpëriti “Flit me Neskën si me shoqet kur flet…ajo të kupton, edhe ti do ta kuptosh. Hajde përpiqu…”. Nuk e di a u përpoqa sa duhet atë ditë, dhe ditët tjera kur takoheshim. Më kujtohet vetëm se ende e shikoja me një lloj dashurie me frigë, ende kishte distancë ndërmjet nesh, shtrihej një rrugë që duhej kaluar. Specifike është rruga drejt të ndryshmëve prej nesh pasi ata vështirë hapen dhe lehtë ikin në botën e vet të heshtjes, heshtjen e kanë bedem.

Përpara, sidomos në qytetet e vogla, njerëzit të dënuar me palëvizshmëri, me heshtje apo çfarëdo mungese tjetër, shpesh eskomunikoheshin. Me kontakte të limituara, mbështetur vetëm tek më të afërmit, ata bëheshin më të pasigurtë, më larg botës, ende më të ndryshëm. Tezja kishte guxim që ta integrojë të bijën, gjithkund ta marrë me vete dhe me kohë u mësua të durojë kureshtjet provinciale, pyetjet pa vend, shikimet e marra të kalimtarëve të rastit.

Tezja e la të bijën në duar të sigurta, të ngrohta dhe inkurajuese sikur të ishin të sajat.

Djali i saj i vetëm është i bekuar me grua-engjull në formë njeriu. Plot tipare pozitive të përqëndruara në një femër . Ekstrakt i mendjes, shkathtësive dhe njerzishmërisë. Një shpirt i gjerë si oqean. Derisa të tillë ecin mbi Tokë merhamet ka dhe do ketë.

Kur Neska na vjen mysafire, më së shpeshti e përmend nusen e vëllaut, fytyra i qesh dhe i flet më shumë se fjalët. Kur i vjen koha të kthehet në shtëpi më së shumti i gëzohet takimit të sërishëm me të, pasi vetë prania e saj i jep edhe energji edhe qetësi.

Vërtet, Zoti shpesh shpërblen aty ku ashpër ka dënuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button