Rastet e montuara politike, strategji pushtetare që vulos fatin e të pafajshëmve

përgjimet e fundit të publikuara nga opozita, dolën në pah të vërtetat e gjykimit të rastit të Sopotit të cilat ngjallën shumë dyshime lidhur me rastet tjera të cilat janë zhvilluar pothuajse në të njëjtën mënyrë.

Anëtarët e komisionit të rastit të Sopotit duke folur për Portalb, nuk përjashtojnë mundësinë që edhe rasti i Monstrës si dhe ky i fundit në Gushincë të jenë të montuara për të tërhequr vëmendjen nga ajo që realisht duhet brengosen qytetarët.

“Jo rastësisht pata marrë iniciativë për zbardhjen e rastit sepse isha i mendimit që rasti ishte i montuar plotësisht dhe kjo doli që të jetë e vërtetë. Unë isha në komisionin e formuar për Sopotin dhe duke parë se për se me çfarë fakte janë dënuar na len të kuptojmë se populli është manipuluar dhe rastet janë inskenuar”, tha për Portalb, Abedin Zymberi, anëtar i komisionit parlamentar lidhur me rastin e Sopotit.

Ai shtoi se ky nuk është rast i vetëm i montuar politik i cili është përdorur për arritje dhe qëllime të ndryshme të pushtetit.

“Dhe fatkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm. Mbaj mend kur isha deputet gjithmonë kur vinte koha për miratimin e buxhetit ndodhnin kësi lloj rasti për të tërheq vëmendjen dhe shpejt e shpejt miratohej buxheti. Ne shqiptarët e kemi ditur për këto raste që janë të montuara mirëpo tani edhe maqedonasit po binden dhe kanë hapur sytë dhe nuk besojnë më në atë që u thotë pushteti”, shtoi Zymberi.

Tahir Hani i cili po ashtu ishte anëtar i këtij komisioni thekson se gjatë shqyrtimit të dokumenteve të këtij rasti janë vërejtur shumë shkelje të rënda penale të kryera nga institucionet shtetërore.

“Unë si anëtarë i Komisionit Parlamentarë për rastin e Sopotit mund të konstatoj se të gjitha dokumentet tek të cilat kemi pas qasje, nga MPB e deri te Shërbimi sekret, askund nuk dëshmohej fajësija e të akuzuarve. Në morëm të gjitha dëshmitë dhe pyetjet që janë bërë për akuzuesit dhe kemi hasur në shkelje të rënda penale, pasi i gjithë procesi gjykues është bazuar në një deklaratë e cila është dhënë nën presion dhe është një deklaratë e rrejshme”, tha për Portalb, Hani.

Ai shtoi se për të gjitha rastet për të cilat dyshohet se janë të montuara duhet të formohet komision parlamentar që të shqyrtohen ato.

“ Për këtë rast jam shumë i sigurt që është i montuar se kemi pas në dorë faktet dhe kam qenë nga afër i njoftuar, për raste tjera si Monstra dhe ky i fundit në Gushincë nuk mund të them saktësisht, por jam i mendimit se duhet të formohet Komision parlamentar edhe për këto raste që mendohet se janë montuar me qëllim që e vërteta të del në shesh” shtoi Hani.

Nga ana tjetër juristi Naser Zyberi thotë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm për rastet e montuara dhe sipas mendimit të tij edhe në rastin e Monstres si dhe Gushincës ka dorë politika.

“Unë nuk kam pas dyshim se rasti i Soptit është i montuar, pasi që vetë dëshmia u dha nën presion dhe këtë të gjithë shqiptarët e kanë ditur. Rast misterioz është edhe Monstra duke u bazuar në atë se si u zhvillua arrestimi, hetimi si dhe gjykimi. Dyshoj se edhe këtu ka dorë politika  dhe se është rast i montuar. Me këtë institucionet shtetërore duan të dëshmojnë se janë efiçient në zbulimin e rasteve, kurse nga ana tjetër dënojnë persona pa pasur fakte dhe dëshmi me anë të të cilave dëshmohet fajësia e të dyshuarve”, tha për Portalb Zyberi.

Ndërkaq, procesi gjyqësor për rastin e Sopotit nuk ka përfunduar ende, kjo pasi prokurori publik shtyn disa herë fjalën e tij përfundimtare. Të gjithë të dënuarit në këtë proces janë në liri, por procesi vazhdon. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button