Në Shkup u protestua kundër shpalljes së gjenocidit të armenëve

Shqiptarët, turqit e boshnjakët asnjëherë nuk do të përkrahin pretendimet se ndaj armenëve është bërë gjenocid gjatë luftimeve të vitit 1915. Ky ka qenë mesazhi kryesor i dhënë në protestën e organizuar sot në sheshin para xhamisë së Murat Pashës në Shkup, raporton SHENJA.

Protestuesit kanë mbajtur në duar transparente dhe kanë brohoritur parulla, ndër të tjera: Mos e harroni Bosnjën dhe Kosovën!, Mjaft me gënjeshtra!, Mos na e zhdukni historinë njëmijëvjeçare!, “Turqit, shqiptarët, boshnjakët asnjëherë nuk do ta përkrahin këtë shpifje dhe do ta mbështesin shtetin vëlla, Turqinë. Me pranimin e ‘gjenocidit’, ju nuk do të kontribuoni për paqe, por do ta nxisni përçarje. Apelojmë që të gjithë të jeni në anën e paqes”, ka deklaruar Qazim Zejnulla. Gjatë protestës është dënuar qëndrimi i Papës, Parlamentit Evropian dhe të disa shteteve rreth kësaj çështjeje. Është theksuar se me anë të shpikjes së “gjenocidit” po synohet që të keqpërdoret tragjedia e njerëzve.

Kjo protestë në Shkup është në frymën e kundërshtimit të gjerë që po i bëhet tendencës së disa shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare që luftimet ndërmjet ushtarëve osmanë dhe armenëve t’i cilësojnë së gjenocid. Qëndrimi zyrtar i Turqisë është që kjo çështje t’i lihet në dorë historianëve e të mos shfrytëzohet për fushatë politike kundër shtetit turk dhe historisë së vendit.

Pikërisht këtë mesazh e kanë dhënë edhe protestuesit në Shkup, të cilët kanë bërë thirrje që ko ngjarje të trajtohet nga historiografia e jo nga politikanët. /SHENJA/

Lajme të ngjashme

Back to top button