Masakra e armenëve, Obama: Të përballemi me të kaluarën

100-vjetori i masakrës së 1 milion e gjysmë armenëve na detyron të reflektojmë mbi detyrën e vështirë por të domosdoshme që të përballemi me të kaluarën.

Në një deklaratë të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, në të cilën nuk përdoret asnjëherë fjala “genocid”, presidenti amerikan Barack Obama nuk përmend hapur as Turqinë.

Por ai përdor vetëm shprehjen “mizoria e parë masive e shekullit të njëzetë” për të përcaktuar masakrat e armenëve nga Perandoria Otomane.

Shmangia e fjalës “genocid” nga presidenti Obama ishte paralajmëruar pak ditë më parë nga Shtëpia e Bardhë, në një takim me komunitetet armene të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2008, gjatë fushatës elektorale, Obama kishte deklaruar se si president do ta njihte gjenocidin armen dhe tërheqja e tij këtë herë duket se ka zhgënjyer aktivistët.

Nga ana tjetër, edhe Turqia e ka pritur me ankth deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, si dhe me paralajmërimet se përmendja e termit “genocid” do të pasohet nga hapa politike e mbase edhe ushtarake.

Ajo çfarë alarmon më shumë turqit është fakti se gjithmonë e më shumë po piqen kushtet që vrasjet masive të armenëve të cilësohen “genocid” nga vendet aleate. Argumenti i Ankarasë është se, humbjet e jetëve erdhën gjatë një lufte civile, ku gjetën vdekjen edhe shumë turq.

Arsyeja e një kundërshtimi kaq të fuqishëm të Turqisë ndaj këtij termi, sipas ekspertëve, është se, një gjë e tillë mund t’u hapte rrugën rasteve të shumta gjyqësore dhe Armenia, me çdo të drejtë mund ta çojë çështjen në gjykatat ndërkombëtare. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button