Në USHT i filloi punimet Konferenca e dytë ndërkombëtare shkencore e Filologjisë (FOTO)

Fakulteti Filologjik i Universitetit Shtetëror të Tetovës organizoi Konferencën  e dytë ndërkombëtare shkencore, me temë: “Ndërveprimet kulturore ndërmjet filologjisë shqiptare dhe shkencave filologjike në rajon dhe më gjerë (dimensioni diakronik dhe sinkronik). Konferencën e shpalli të hapur Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. dr. Arbër Çeliku, i cili vlerësoi se organizimi i kësaj konference për vet universitetin  përbën një kënaqësi të veçantë, duke pasur synim parësor ngritjen dhe avancimin e vlerave tona gjuhësore, letrare, kulturore dhe kombëtare në përgjithësi. “Kjo konferencë ka arritur të mbledhë në gjirin e vet shumë personalitete të fushave të ndryshme humane nga të gjitha trevat tona, të cilët me kontributet e tyre shkencore, përveç tjerash, i përkushtohen edhe të ardhmes së gjuhës shqipe në familjen e madhe evropiane.

DSC_4536
Organizimi i një konference të këtillë shkencore me karakter ndërkombëtar nuk kontribuon vetëm në ngritjen e urave kulturore midis popujve, por, para së gjithash, ajo do të ndikojë dukshëm edhe në ngritjen e vetëdijes dhe etikës së komunikimit tonë më të ngushtë ndërinstitucional në të ardhmen”, tha Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. dr. Arbër Çeliku.
DSC_4591

Në emër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës konferencën e përshëndeti Safet Neziri, këshilltar në këtë Ministri, i cili tha se këto konferenca do ta ruajnë dhe kultivojnë edhe më shumë gjuhën tonë amtare. “Vetë titulli i konferencës flet se sot do t’i dëgjojmë prezantimet e dashamirësve të fjalës, të cilët angazhimet e tyre jetësore ia kanë dedikuar shkencës, qëllimi i së cilës është që ta ruajë dhe kultivojë gjuhën e një populli”, u shpreh këshilltari në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri.
DSC_4650
Dekani i Fakultetit Filologjik, Doc. dr. Fatmir Sulejmani vuri në pah faktin që këto konferencat kanë vënë në lëvizje stafin mësimdhënës, si dhe i kanë dhënë mundësi gjithsecilit për kontribut serioz në fushën e studimeve përkatëse. “Konferenca do të shpalojë edhe kontributet e të tjerëve dhënë filologjisë shqiptare. Këtu në rend të parë mendoj në emrat e shumtë të albanologëve gjermanë e evropianë, të cilët punuan në kohën kur qe bërë zap gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare. Pa kontributet e tyre, natyrisht, asnjë vlerë jona nuk do ta kishte nivelin e sotëm. Përndryshe, punimet e Konferencës së Fakultetit të Filologjisë do të zhvillohen në gjuhën shqipe, angleze dhe maqedonase dhe do të botohen po në këto gjuhë.
DSC_4667
Koordinatorja e kësaj konference,  Mr. sc.Suzana Ejupi  tha se në këtë konferencë do marrin pjesë një numër i madh studiuesish nga vendi dhe rajoni. “Në këtë konferencë do të marrin pjesë 70 pjesëmarrës nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa do të prezantohen 64 punime shkencore në fusha të ndryshme, si:  Gjuhësi dhe gjuhësi e aplikuar; Gjuhësi diakronike dhe sinkronike; Poezi dhe letërsi krahasuese dhe Përkthim dhe letërsi teksti“,  tha Mr. sc. Suzana  Ejupi.
FATMIR SULEJMANI Po ashtu, të gjitha kontributet shkencore që do të prezantohen në këtë konferencë do të botohen në numrin e tretë të revistës ,,Filologjia”, e cila ka një bord editorial me emra të mirënjohur ndërkombëtarisht, jo vetëm për filologët.

Lajme të ngjashme

Back to top button