Versioni i policisë: Si u shkelën për vdekje 14 emigrantët

14 emigrantët të cilët janë shkelur nga treni në Veles kanë qenë duke pushuar në binarët e hekurudhës por kur kanë dëgjuar që treni po afrohet ato nuk kanë arritur të kërcejnë dhe të shpëtojnë, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Vozitësi i trenit pasi ka vërejtur një grup më të madh të emigrantëve të ulur në binarë rreth 100 metra larg ka filluar të frenojë dhe ti alarmojë, pas çka një pjesë prej tyre kanë kërcyer anash, ndërsa një grup tjetër kanë qëndruar dhe më pas janë shtypur nga lokomotiva, i cili pas aksidentit është dëmtuar dhe prishur.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Velesit mbrëmë rreth orës 22:30 midis stacioneve hekurudhore “Rajko Zhinzifov” dhe “Pçinja” nga një tren ndërkombëtar, i cili udhëtonte në relacionin Selanik-­Beograd.

Në vendin e aksidentit hekurudhor, ekipet e ndihmës së parë mjekësore arritën nga Shkupi dhe Velesi. Kontroll në këtë aksident kanë bërë ekipet e SPB Veles, prokuror publik dhe persona profesionistë të hekurudhës së Maqedonisë.

Trupat e të vdekurve, siç informoi, Anita Stojkovska, zëdhënëse e SPB Veles, gjenden në morgun e varrezave të qytetit në Veles.

Stojkovska shtoi se tetë emigrantë janë lënduar dhe gjenden në Stacionin policor në Veles, ndërsa ka pasur edhe një grup më të madh të emigrantëve të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button