D E C E N T R A L I Z I M I

Shkruan: Zamira Zejnullai

“Nuk ka kohë për të humbur,aq më tepër kur vendi duke u bazuar në situatën aktuale politike ,ekonomike, sociale ka nevojë për një rikonsolidim juridiko-politik dhe në këtë kuadër decentralizimi të trajtohet në mënyre meritore konform frymës së Marëveshtjes së Ohrit dhe Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale të cilën Maqedonia e ka të ratifikuar”

Decentralizimi siç që është e ditur hovin e zhvillimit e mori gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit njëzet.

Bota perendimore decentralizimin e sheh si proces se si në mënyrë alternative të kryhen shërbimet publike, më racionalisht dhe me efikasitet.

Vendet në zhvillim e zbatojnë decentralizimin që të ballafaqohen me joefikasitetet ekonomike, jostabilitetin makroekonomik dhe menaxhimin joefikas. Kurse vendet postkomuniste (gjatë tranzicionit) filluan rrugën e decentralizimit si hap i natyrshëm në kalimin drejtë ekonomisë së tregut dhe demokracisë.

Në përgjithsi egzistojnë tre forma të procesit të decentralizimit edhe atë ; politike, administrative dhe fiskale.

Decentralizimi politik ka të bëjë me sforcimin më të madhë të qytetarëve për të vendosur në nivelin lokal si dhe përfaqësuesve të tyre. Decentralizimi administrativ paraqet kompetencat operative në planifikimin,financimin dhe administrimin me funkcionet publike në nivel lokal. Decentralizimi fiskal është gjithësesi formë më gjithpërfshirëse dhe më e dukshme, sepse drejtpërdrejtë është e lidhur me realokimin e resurseve nga pushteti qendrorë në nivelin lokal të pushtetit.

Decentralizimi është proces që çdo herë sfidohet nga rethana të ndryshme, dhe gjithmonë evoluon varësisht nga politikat publike të një vendi.

Çfar decentralizimi ka Republika e Maqedonisë ?

Siç dihet procesi i decentralizimit në Maqedoni zbatohet nga koriku i vitit 2005-të kur edhe filloi faza e parë e transferimit të kompetencave. Ndërsa,duke filluar nga pluralizmi dhe deri në zgjedhjet e para lokale në vitin 1996-të,qeveria me akte normative centralizoi pushtetin në skajshmëri.

Ky proces aktualisht zbatohet në bazë të rregullativës ligjore pozitive të vendit edhe atë konform Ligjit për vetëqeverisje lokale ,Ligjit për financimin e njësive të veteqeverisjeve lokale dhe ligjeve tjera materiale ku parashihen kompetenca për komunat.

Në aspektin fiskal, edhe pse përqindja e Tatimit të Vlerës së Shtuar që ju alokohet pushteteve vendore është ritur nga 3% deri më 4,5% (përqindje e përgjithshme e akumuluar),përsëri shumë ekspert vendorë dhe të jashtëm me të drejtë konstatojnë se vendi akoma është më i centralizuar në Evropë në aspektin fiskal.

Në aspektin politik në Maqedoni ende nuk mbizotëron vullnet i mjaftueshëm për një decentralizim më të mirfilltë,sidomos në kuadrin fiskal, për ritjen e përqindjes së TVSH-së (për komunat) ,përqindjes së tatimit personal ,siç është në shtetet fqinje dhe më gjërë. Madje ritjen e bllok dotacioneve, dotacioneve të destinuara,transferin e kompetencave në sferën sociale (për fillim procedurat administrative të përgjithëshme) etj.

Në sferën e urbanizmit dhe planifikimit hapsinor komunat në Maqedoni edhe pse për disa procedura monitorohen nga pushteti qendror (përveç mbykqyrjes exoficio),duke qenë të obliguar të kërkojnë mendimin apo pëlqimin e tyre. Në këte fushë edhe pse në aspektin sasior kompetecat janë të mjaftueshme,mirëpo pa kapacitete buxhetore edhe këta as për së afërmi nuk mund të implementohen në praktikë.

Si do që të jetë, në Maqedoni mbetet të shihet se transferimi i të drejtës që pushtetet lokale të menaxhojnë me tokën ndërtimore në pronësi shtetërore , sipas modelit te paraparë me Ligjin për tokën ndërtimore ,a do të jetë model që do të ndikoj në zhvillimin ekonomik lokal, apo sipas asaj që konstatojn ekspertët dhe opinioni, mënyra direkte e tjetërsimit të aseteve të palujtëshme vendore ështe e gabueshme kur kihet parasyshë se më së paku është praktikuar në shtetet e evropes juglindore. Kur jemi te zhvillimi ekonomik lokal ,duhet theksuar faktin se në vendë nuk zbatohet me përpikmëri edhe Ligji për zhvillim të barabartë ekonomik rajonal,aq më tepër kur edhe 1% i bruto prodhimit vendor i paraparë me ligj nuk shpërndahet saktësishtë. Ky ligj parasheh komisione të shumta e që në vehte paraqet byrokraci, aq më tepër kur kjo përqindje as për së afërmi nuk mund të ndikoj në zhvillimin ekonomik rajonal e lëre më zhvillim të barabartë.

Egziston mosgadishmëri e qeverive që me seriozitetin më të madh tu kthehen edhe njëherë ligjeve që tangojnë decentralizimin , për ti reformatuar ato ,për një proces më të prekshëm për shërbimet që u garantohen qytetarëve dhe pse jo edhe për një demokraci lokale solide.

Nuk ka kohë për të humbur,aq më tepër kur vendi duke u bazuar në situatën aktuale politike ,ekonomike, sociale ka nevojë për një rikonsolidim juridiko-politik dhe në këtë kuadër decentralizimi të trajtohet në mënyre meritore konform frymës së Marëveshtjes së Ohrit dhe Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale të cilën Maqedonia e ka të ratifikuar.

Me që zhvillimi i këtij procesi po ecë me hapa të breshkës ,andaj me të drejtë shtrohet dilema se në Maqedoni ka decentralizim apo dekoncentrim të pushtetit. Mbase edhe në shumë konferenca rajonale decentralizimi trajtohet si mundësi apo sfidë për ekonominë dhe demokracinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button