FILOZOFI IZMEQARËSH

A e dini cilat janë temat e gjithmonshme të shqiptarëve të sajesës antike – çështjtet mbi çështje, që na mbajnë peng në llofkat e së shkuarës?

S’është çudi edhe të mos e dini, sepse, përgjatë dekadash të humbura kot, ato janë rëndomësuar aq sa mos ta kuptojë kush se bëhet fjalë për truke dhunuesish të lirive etnike, të lansuara me qëllim që gjynahu të mos ketë kohë të zgjohet nga gjumi, të mos i shkojë mendja te gjendja e mjerueshme dhe e ardhmja e pashpresë, te monstruoziteti i montuar i Sopotit  me argumente kërbaçësh, te vakia aktuale e Goshincës me aromë shtone, te drejtësia e teledirigjuar ashiqare nga akrabatë e kryeministrit, që, përveç tjerash, shpërfaq fuqinë e mekur shqiptare në qeverinë, e cila vetëm qeveri s’paska qenë.

S’do mend se marifetet në fjalë gatuhen në guzhina të specializuara pushtetarësh të papërgjegjshëm, që, pavarësisht lojalitetit të pakuptueshëm të pjesës dërmuese të politikanëve shqiptarë dhe indiferencës mortore të kinse intelektualëve, gojën plot na konsiderojnë ardhacakë, pushtues tokash të huaja dhe, për rjedhojë, armiq të përhershëm të vendit.

Këtë e pohojnë 24 orë në ditë mediet e verdha, që përfaqësojnë qëndrimin e zyrtarëve të lartë nëpërmjet lansimit të vazhdueshëm të fatfave albanofobe.

Por, edhe përkundër faktit se temat me funksion cucllash, që në sytë e botës na bëjnë të denjë për mëshirim, i lanson shteti komb, duhet pranuar se ato metastazojnë në ilet të pashërrueshëm falë injorancës së trashë të robit që nuk njeh frikë më të madhe se liria. Pikërisht ky shpirt meskin izmeqari është ai që na ka ngujuar brenda rrethit vicioz nga i cili, për paradoks, nuk duam të dalim.

A e shihni pra sa kollaj mund t’i mbashë sus shqiptarët. Mjafton një fije shkrepse për të bërë pastaj sehir zjarret e shumuara prej vetë atyre. Më vin keq ta them, por, përjashto tuxharët e etnisë, viktimë e kësaj vakie jam dhe unë, je dhe ti, është dhe ai. Si dele të (t)ulta jemi të gjithë, pashë Atë që lëviz mjegullat, sepse kur njëra prej tyre kërcen e mbytet në xholin e turbullt, në të njëjtin tmerr kllumen njëra pas tjetrës edhe delet tjera.

Meset me kulturë politike i mbietojnë më lehtë rëndomësimet e së keqes, të njohura si stinët më të liga në historinë e kombeve. Të tjerët ndërkaq nuk kanë ose janë mallkuar të mos u besojnë prometejëve si: Emil Siorani, Gistav Le Bani, Jan Ekzarhu…, që Zoti i dërgon për t’ua larguar narkozën, për t’ua shpjeguar përse harxhojnë aq energji dhe përse i thejnë dhëmbët personalë me debate shkumbëzuese që nuk u sjellin asnjë të mirë, përse në momente kyçe historike shterret zëri i HasanPrishtinëve dhe grafllojnë si shtogu haxhiqamilët – mohsat e kombit dhe iftiaçlinjtë tjerë të honorareve fijengatërruara si lesh arapi, që na mbajnë me vite në temën e temave: ishin a s’ishin armiq pushtuesit e stërgjyshërve tanë?

A ka kush e shpjegon mirëfilli këtë filozofi izmeqarësh që rishfaqet tim-për-tim si makth frymëzënës atëherë kur kemi për të bërë gjëra shumë më të mençura, për t’mos e avulluar pakthyeshëm qenien tonë dhe për t’mos përfunduar sërish në tezga kasapësh?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Mendim dhe tekst i shkelqyer – “përse në momente kyçe historike shterret zëri i HasanPrishtinëve dhe grafllojnë si shtogu haxhiqamilët – mohsat e kombit dhe iftiaçlinjtë tjerë të honorareve fijengatërruara si lesh arapi”. PSE, ku gabojme, a duhet te vet-zgjohemi, jo te presim te na e zgjidhin hallin te tjeret?! Te lumte Fatmir!

Back to top button