Qendra britanike: Trafiku i qënieve njerëzore, endemik në BE

Për të frenuar aktivitetet e grupeve të sofistikuara të trafikut të qënieve njerëzore, në pikat kufitare duhet të angazhohen më shumë forca policore.

Një raport i Qendrës për Drejtësi Sociale, me bazë në Britani, vë në dukje se grupet kriminale janë shumë hapa përpara autoriteteve.

Qeveria britanike deklaroi së fundmi se ndryshimet e fundit ligjore do ta bëjnë më të vështirë hyrjen e emigrantëve ilegalë në Mbretërinë e Bashkuar.

Por Fiona Cunningham nga Qendra për Drejtësi Sociale tha se, krimi i organizuar që fshihet prapa kësaj forme të re skllavërimi është shumë endemik tashmë.

Raporti i qendrës i bën thirrje qeverisë që të rrisë operacionet e policisë kufitare në mënyrë që të frenojë problemin.

Edhe pse qeveria vlerëson se janë rreth 13 mijë viktima të trafikut në Mbretërinë e Bashkuar, ekspertët thonë se kjo është vetëm një shifër konservatore.

Nga ana tjetër, politika e kufijve të hapur e Bashkimit Evropian ka lehtësuar aktivitetet kriminale të trafikut të qënieve njerëzore.

“Grupet e krimit të organizuar e shohin këtë lloj trafiku si shumë fitimprurës dhe më të lehtë për ta realizuar, ndaj disa prej tyre janë bërë shumë të sofistikuara pasi kanë ngritur taktika ilegale veprimi”, ka deklaruar Cunningham.

Duke marrë si shembull Sllovakinë, qendra nënvizon se shumica e 170 viktimave të trafikut që kanë marrë mbështetje në vitet e fundit ishin futur ilegalisht në Britani.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button