Gushinca 2015

Në këtë zaman ku “Të Mëdhenjtë” janë futur në lojën e famshme “Kush kujt guxon t`ia prek hundën” duhet përgatitur psiqikisht për gjithçka. Si çdoherë Fuqitë e Mëdha gjithmonë i tërheq tabela më e bukur e shahut-Ballkani. Këtu është i vetmi rajon ku ndeshen civilizimet më ekspansioniste, është i vetmi vend ku Bota mund të zgjedh mes kartës nacionale, fetare apo ideologjike, andaj mos u çuditni nëse “kris” edhe “përnime”. Shumë teori janë plasuar mbi origjinën dhe qëllimin e këtij “operacioni”(Grushina 2015) mirëpo neve nuk duhet të na interesojë as e para e as e dyta. Nuk duhet t`i japim rëndësi këtij rasti dhe këtyre personave që çarmatosën policë të cilët me shumë gjasa kanë qenë UÇK kur ishte koha për të qenë!

Mos të nxehemi me ëndrrat e Shqipërisë Etnike se nuk kemi kapacitet as për të ëndrruar aq e le më të bëhet, edhe Kosova u nis për atë qëllim e në fund mbeti shtet multi-etnik sepse në tavolinat e Brukselit e Uashingtonit nuk kalon demagogjia nacional-romantike. Krizën e tanishme politike dhe ekonomike nuk e ka sjell asnjë parti apo popull, ajo erdhi si pasojë e uzurpimit të institucioneve publike nga persona që keqpërdorën injorancën e bashkëpartiakëve dhe të popullit dhe u pasuruan aq sa nuk e dinë as vet sa kanë! Frika nga përkeqësimi i situatës më shumë ndjehet tek maqedonasit se tek shqiptarët dhe për shkak të kësaj frike mund të kemi incidente lokale, më shumë ndërmjet të rinjve, andaj kujdes!

Në gjendjen e tanishme NE si popull kemi kontribut të veçantë, sepse në çdo akademi përkujtimore për luftën mbizotëron fjalori nacionalist që regjistrohet në mendjet e fqinjve përderisa pas përfundimit të atyre akademive, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe shumë veteranë të luftës prap nuk kanë të ardhura për të pasur një ekzistencë
normale, gjë që duhet përkujtuar më shpesh. Neve na duhet nacionalizëm në institucione e jo në FB( është absurde
person me funksion publik të deklarohet me FB). Do i kisha sugjeruar personat që dëshirojnë edhe një luftë të dalin me këtë komunikatë nëse duan që ti bien shkurt muhabetit:
“Dëshirojmë luftë!!! T`i jetësojmë idealet e Dëshmorëve që kanë vdekur duke sakrifikuar njerëzit e gjallë në moshë ideale!!! Dëshirojmë që me sakrifikimin tonë të arsyetohemi para Dëshmorëve, sepse nuk ishim të denjë të jetonim dhe të prosperonim që të arsyetoheshim para tyre me arritje shkencore, sportive dhe kulturore. Dëshirojmë të vdesim për Shqipërinë Etnike në të cilën pas lufte do të ndodhin po të njejtat gjëra që ndodhin tani. Prap politikani do të gënjejë, gjyqtari do të korruptohet, polici do të dehet në detyrë, mësuesi nuk do të mund të paguajë faturën e rrymës e shumë gjëra të tjera të shpifura.

Dëshirojmë të dërgojmë edhe një gjeneratë të tërë në zjarr, sepse NE duhet të bashkohemi dhe t`i flakim kufijtë mes NESH, e më pas të bashkohemi në Europën pa kufij, së bashku me ATA që i luftuam!” Ju kërkoj ndjesë që nuk e zbukurova shkrimin mirëpo mendoj se kështu isha më i qartë që të kuptohem edhe nga ata “patriotë”. Patriotë për mua nuk janë ata njerëz që shohin probleme tek zgjidhjet, patriotë tani janë ata ish-luftëtarë që e dënuan rastin duke ia mveshur ndjenjën e sigurisë popullit gjaknxehtë! Mos na lashtë Zoti pa njerëz të tillë!

Lajme të ngjashme

Back to top button