Buggs Bunny dhe mullinjtë e erës së Gushincës

Asnjëherë nuk kam qenë i pajtuar me teoritë konspirative, me konspiracionin në përgjithësi. Më është dukur – dhe akoma më duket se është e pamundur që të gjitha gjërat të rregullohen në atë mënyrë perfekte drejt qëllimit të konspiruesit, sa të eliminohet rreziku i ndodhjes së rastësisë. Ngjashëm siç mund të argumentohet lidhur me horoskopin (është e palogjikshme që fati i çdo të 12-tit ndër 7 bilion njerëzit e botës të jetë i shkruar njejtë, se do të thonte që sot do të publikonin kolumnë gati 600 milion njerëz, aq më ekstreme kur statistika tregon që mbi 7 milion prej tyre janë analfabetë). Ngjashëm është e palogjikshme që të besohet që të gjitha kockat e mundshme do të renditeshin në atë formë siç kërkon konspiracioni, pa patur gabime, pa ndodhur rastësia, e aq më shumë pa ndikuar faktorët e jashtëm. Por hajde të luajmë pak Vasko Eftov (aq shumë argëtuese emisionet e tij, sa keq që është distancuar nga realiteti lokal kohëve të fundit), thjesht për hir të faktit që si popull na pëlqejnë teoritë e mjegullta konspirative.

Më vjen keq që nuk e shkrova dje këtë shkrim, sepse do të ishte dukur më origjinal (sot më duket paksa i konsumuar) por ju premtoj që ka dy ditë që e mendoj si temë, nejse. Konspiracioni:

  • Nis me rastin e Gushincës.
  • Përfshin disa subjekte, disa shtete, por vetëm një ide
  • Ka fuqi vetëdeterminuese, si të gjitha konspiracionet tjera: vetë të përcaktojë dhe të definojë vërtetësinë e vet në momentin historik që ta shohë të përshtatshëm.

Sulmi mbi stacionin policor të Gushincës NUK ka ndodhur. Kjo është e besueshme si konspiracion, përkundër asaj që thashë më lartë. Nëqoftëse për realizimin e një veprimi që ngjall konspiracion në vetvete, duhen plotësuar disa kushte (realizimi pa gabime, eliminimi i rastësisë dhe faktorëve të jashtëm të pakontrollueshëm), atëherë me mos ndodhjen e veprimit konspirativ (rastit të sulmit ndaj stacionit policor të Gushincës) arrihen të gjitha këto parakushte. Duke mos patur veprim të vërtetë, por vetëm propagandë lidhur më atë rast, atëherë gabimet nuk ekzistojnë sepse rasti propagohet ashtu si të kenë dëshirë dhe qëllim konspiruesit; njëkohësisht rastësia është inekzistente me vetë faktin që rasti është i gatuar që mëparë.

Ky rast është vetëm një lojë e subjekteve vendase, jo për të zhvendosur vëmendjen por përkundrazi për ta përqëndruar atë. Për ta përqëndruar atë në një segment të historisë shoqërore që mund të transformohet dhe të devijohet politikisht sipas dëshirës. Sikur të kenë qenë shërbimet e shtetit ato që e kanë orkestruar dhe realizuar të gjithë rastin dhe të gjitha lojërat pasuese të saj, atëherë qëllimi i tyre ka qenë absolutisht në kuadër të interesave politike të regjimit në këtë krizë demokracie. Është fakt historik që ngjarje të këtilla “rastësisht” ndodhin në momente të vështira për regjimet jodemokratike dhe gjithmonë kanë për synim përqëndrimin e vëmendjes dhe veprimit tek regjimi. Në rastin tonë ky konspiracion (se ngjarje të këtilla do të ketë në periudhën në vijim) mund të nxjerrë këto veprime:

  • Të vendosë bazën për të eskaluar marrëdhëniet ndëretnike. Potenciali i një lufte civile të rinovuar në Maqedoni është rrezik real. Tensionet janë të larta, sepse nuk është punuar qenësisht në krijimin e marrëdhënieve, përkundrazi – ndërveprimi mes etnive të ndryshme është minimal, dhe në shumë raste i sforcuar. Imagjinoni sikur bomba e sotshme të kishte qenë zbardhja e rastit Monstra. Implikimet do të kishin qenë të frikshme. Ndërkaq lufta është instrumenti më i dëshiruar i secilit regjim për të mbajtur pushtetin.
  • Të krijojë tension të mjaftueshëm politik i cili do të vepronte si mjet presionues ndaj bashkësisë ndërkombëtare që për momentin po udhëheq dialogun. Nëse regjimi është krijuesi i këtij konspiracioni mund të argumentojë të ardhshmen: destabilizimi politik përbrenda vendit është aq evident dhe i rrezikshëm për Maqedoninë dhe rajonin si pasojë e “pucit” të opozitës, sa sërish ka hapur mundësinë e nxitjes së kinse aspiratave shqiptare, serbe dhe bullgare për të ndryshuar kufijtë dhe për të krijuar shtetet “e mëdhaja” në kurriz të Maqedonisë.
  • Të krijojë bazën për establishmentin e një shteti policor, duke deklaruar në mënyrë oficiale diktaturën, duke shpartalluar opozitën dhe jonjëmendësit. Veprimi i rradhës mund të jetë arrestimi i Zaevit. Për të rrëzuar diktaturat është shumë e vështirë, sidomos në vende të mbyllura siç është i joni. Do jemi ne ata që do vuajmë atë realitet.
  • Të krijojë idenë që destabiliteti i Maqedonisë vjen nga jashtë dhe shkaktarë në shumicën e rasteve janë shqiptarët. Është një ndër varijantat që mendohen për të diskredituar shqiptarët si subjekt qenësor i këtij shteti, dhe përfaqësuesit e tyre politikë. Në këtë formë do të ishte tentuar eliminimi edhe i faktorizmit të partive shqiptare, duke eliminuar peshën politike të shqiptarëve në këtë vend, rrjedhimisht duke mbajtur shtetin nën tension ndëretnik të përhershëm dhe duke sunduar me mekanizmat diktatoriale ekskluzive.

Një Buggs Bunny i vërtetë në luftë me mullinjtë e erës së imagjinatës së Cervantes-it.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button