Maqedonia si Korea e Veriut!

audio incizimet që u publikuan së fundi nga opozita maqedonase, lidhur me presionet e Gruevskit ndaj mediave private Sitel dhe Kanal 5 si dhe punësimet dhe konkurset e punësimit të kurdisura në RTVM, tregojnë hapur se kush janë udhëheqësit e disa medieve private në Maqedoni.

Kryeredaktoret e medieve private në vend thonë se kjo situatë është e tmerrshme dhe se liria e shprehjes ka prekur fundin.

Kryeredaktori i televizionit ERA, Ismail Sinani, thotë për Portalb se jemi dëshmitarë të një poltronizmi të skajshëm të drejtuesve të mediave pro-qeveritare dhe kjo flet qartë për një katandisje dhe vardisje të paparë, sikur Maqedonia të jetë Korea e Veriut.

“Gjërat që i dëgjuam, flasim për një përkeqësim të skajshëm të gjendjes së mediave në vend në raport me politikën, e sidomos me pushtetin. S’do mend se do të duhet ta kalojë një kohë e gjatë që gjërat të rikthehen në vendin e vet. Më e keqja është se jemi dëshmitarë të një poltronizmi të skajshëm të drejtuesve të mediave pro-qeveritare dhe kjo flet qartë për një katandisje dhe vardisje të paparë, sikur Maqedonia të jetë Korea e Veriut. Gjithsesi se në këtë rast, nuk duhet fajësuar vetëm politikanët. Të mos harrojmë se një numër i konsiderueshëm i atyre gazetarëve emrat e të cilëve u përfolën për puthadorllëk, janë pikërisht ata që para katër vitesh, aktronin ‘zërin e demokracisë’ pas mbylljes së Televizionit A1. Kjo flet për një sadomazohizëm të skajshëm, parasëgjithash në radhët e disa gazetarëve”, tha Sinani.

Ai shtoi se sidoqoftë, kjo është një kohë e keqe, e cila e plagos apo thënë më mirë, e ka plagosur rëndë gazetarinë dhe lirinë e shprehjes, që vetvetiu tregon se sa vështirë është të drejtosh një media në këtë kohë, megjithatë, mos të harrojmë se në fund të fundit, gjithçka varet nga qëndrimi stoik i vet gazetarit apo gazetarëve!

Zoran Andonovski kryeredaktor në agjencinë e lajmeve “Meta”, për Portalb thekson  se gazetarët si dhe pronarët janë të vedijshëm për rolin e tyre dhe e dinë se me këtë ata bëhen bashkëpunëtorë në krimin që po i bëhet shoqërisë.

“Mendoj se audio incizimet që dëgjuam sot dhe po dëgjojmë kohëve të fundit, na bëjnë të kuptojmë qartë se kush qëndron prapa disa medieve të cilat deri më tani janë cilësuar si proqeveritare. U dëshmua që qeveria ka kontroll të plotë mbi disa media private. Përgjimet po ashtu për mënyrën se si mediat punojnë për kryerjen e qëllimeve qeveritare dhe më këtë ata fitojnë nga ana financiare. Interesant është fakti se gazetarët si dhe pronarët janë të vedijshëm për rolin e tyre dhe e dinë se me këtë ata bëhen bashkëpunëtorë në krimin që po i bëhet shoqërisë”, tha  Zoran Andonovski kryeredaktor në agjencinë e lajmeve “Meta”.

Muhamed Zeqiri, kryeredaktori i televizionit Alsat M, pas publikimit të audi incizimeve, gjendjen e medieve e krahason me “fundrrinë”  në ­çdo kuptim të fjalës.

“Çfarë të thuhet, kur tani më shihet qartë se kush janë pronarët e vërtetë të medieve, dhe jo vetëm të RTVM-së por edhe në disa media tjera të cilat janë megafon të qeverisë.  Premieri, shefi i policisë sekrete dhe ministrja e punëve të brendshme, janë pronarët dhe kryeredaktorët e vërtetë të këtyre medieve. Ata jo vetëm që urdhërojnë se si do të duken informacionet dhe programet e atyre mediumeve, ata po ashtu punësojnë, porosisin dhe udhëheqin.  Çdo fjalë tjetër është e tepërt të thuhet në këtë temë. Me një fjalë ‘fundrrinë’ .  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button