“MIDIS DY MULLARËVE”

Nëse ia mbyllni gojën të vërtetës dhe e varrosni, ajo do të rritet më shumë.
Emil Zola

Më nuk e dimë a është koha e tillë, kohë që e ka përjashtuar  fytyrën si vlerë etike, ose ne nuk ia dalim ta mbajmë hapin me jetën në vrap të pandalshëm e na mund rezillëku e pafytyrësia duke u bërë mënyrë jetese ku ne i kalojmë vitet e plakemi. Plakemi, si ka thënë dikush, në vend se ta arrijmë pjekurinë. Plakemi dhe vazhdojmë të mendojmë se do të vijë baba dimri e do të na sjellë dhurata e ëndrrave tona. Por shumë gjatë ia kemi bërë qejfin vetes kështu dhe kthesat politike, demokratike e kulturore që po duken në horizont na japin shenja se pritja do të na dalë si ajo e gomarit të cilit ujku ia ka ngrënë vithet e gomari: Bëre zot ëndërr!

Si duket ne do të mbetemi midis dy mullarëve si ajo tjetra hiqje e gomarit i cili duke menduar a të marrë bar nga ana e djathtë apo nga e majat, ka mbaruar tragjikisht. Ngado që të sillemi hiqajet e gomarit na shkojnë prapa, na përcjellin si hije. Është droje se shumë gjëra do të na mbeten të njëjta. Do të vendnumërojmë në politikë, do t’i mbetemi besnik varfërisë, nuk do të çajmë kokë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, të letërsisë sonë, të vlerave të traditës.

Ne në këtë kthesë të madhe që duket në horizont, në këtë anije që, si duket, po paralajmëron një udhëtim  interesant shtigjeve të reja në hapësirën demokratike, nuk po kërkojmë parapagim, nuk duam të rezervojmë vend. Politikanët e partive tona (në pozitë e opozitë që si duket janë rehatuar vetëm me disa poste e privilegje personale ose më drejt me disa kokrra bonbone që u hedh pushteti i vërtetë) janë të brengosur vetëm për probleme që për popullin shqiptar janë probleme anësore, por për ata si individë kanë peshë. Çfarë na hyn në punë neve, bie fjala, insistimi për anëtarësimin e vendit në BE ose në NATO, kur nuk i kemi zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e identitetit, me problemet zhvillimore etj? Çudi, çudi e madhe madje, heqim dorë nga bisedat për emrin ku duhet të marrim pjesë sepse aty mund të vuloset fati i identitetit tonë e marrim hov tjetërkund. I japin zor politikanët tonë t’i pajtojnë pozitën e opozitën maqedonase që janë zënë për probleme kruciale, pa i analizuar mirë pozitat tona në këtë udhëkryq. Asnjëri nuk reagoi ndaj fyerjeve që na i bënë: “indijanca”, “kopila”, “gërdotija”, “shqiptari” e çkamos tjetër, fyerje që flasin se ne nuk kemi kurrfarë pozite në politikat e vendit. Ata, të partive,  për vete, mund t’i gëlltisin e t’i falin për gjithë ato fyerje, ama për vete. A vështirë është të kuptohet se këto fyerje flasin për qëndrimin e pushtetit të njëmendët ndaj shqiptarëve? Politikanët duhet ta kenë parasysh se e kanë marrë votën shqiptare dhe i përfaqësojnë shqiptarët, prandaj nuk është vështirë ta dinë se fyerjet që i bëhen popullit nuk mund të falen. Ndoshta ndjehen më rehat të qëndrojnë më larg popullit, mirëpo duhet ta kenë të qartë se kjo dramë midis dy partive më të mëdha maqedonase do të përfundojë me zgjidhje politike dhe me marrëveshje. Larg popullit e duke ndenjur larg vorbullës politike të këtyre ditëve, çfarë do të bëjnë pastaj? A mos mendojnë se populli do të vrapojë përsëri pas tyre? Reagimet në rrjetat sociale e flasin të kundërtën. Më shkurt, në këto rrjeta unë nuk pashë ndonjë përkrahje për gjumin, indiferencën dhe sjelljen anakronike të politikës së këtushme shqiptare. Kryetari i opozitës i akuzoi partitë shqiptare se janë në shërbim të plotë të kreut të partisë maqedonase në pushtet. Sa s’tha se janë të gjunjëzuar. Përveç kësaj ne të gjithë e dimë se faktori politik shqiptar e ka imituar pushtetin në politikën e punësimeve të pakta. Pra s’ka pasur punësime si duhet, por ka pasur grumbullime militantësh partiakë nëpër institucione.
Gjithandej dëgjojmë se duhet t’ia dimë partisë për të gjitha të mirat që na i ka sjellë. Na ftojnë t’u gëzohemi sukseseve, madje edhe t’u këndojmë këngë. Mirëpo atyre të mirave nuk u vihet emri. Dikur përmendorja e Skënderbeut e vendosur në skaj të Çarshisë tash ka mbetur nën hijen e qindra përmendoreve të tjera e nuk duket, prandaj nuk e përmendin më. Nuk e përmendin as Teatrin shqiptar, i cili nuk ka rrugë kah të hyhet dhe ka mbetur si gjynah prapa erës së rëndë të mbeturinave të Bit Pazarit, ku është dashur të bëhet sheshi i vetëm i Komunës së Çairit. Nuk përmendin edhe shumë halle të tjera. Mirë është të gëzohemi, pse jo, por tash e kemi punën për vaj. Do të gëzohemi kur politikanët të bëhen të barabartë në politikën e vendit, kur të marrin pjesë në bisedimet që kanë filluar të mbahen në Bruksel, kur të bëhen pjesë e bisedimeve për emrin e vendit, kur të na japin dëshmi se popullit tonë i kthehen para nga buxheti në bazë të përqindjes që kemi, kur të dinë të bëjnë koalicione me grupet e ndryshme etnike, kur ta realizojnë barabarësinë e plotë të gjuhës shqipe në tërë shtetin, kur të investohet si duhet në arsimin shqip, në kulturën shqiptare, për rininë shqiptare në sport… Nuk na e tregojnë strategjinë e zhvillimit, nuk kanë programe konkrete për emancipimin e plotë të shqiptarëve. Nuk ia venë emrin as anës së djathtë as të majtës se nga janë nisur.  Kur të tregojnë me vepra, konkretisht, si të dalim nga kjo situatë, atëherë do të gëzohemi. Njëherë për një herë jemi të pikëlluar.

Koha është që politikanë tonë ta kenë të qartë se po deshët të shkoni përpara duhet më së pari t’i zgjidhni problemet e atyre që ju kanë votuar, jo vetes e aq më pak partive që na konsiderojnë indijanca e kopila. Koha është që politikanët tonë ta marrin vesh se heshtja në politikë nuk kalon. Koha është ta marrin guximin e ta thonë të vërtetën. Nuk është kohë për heshtje kjo. Nëse ia mbyllni gojën të vërtetës dhe e varrosni, ajo do të rritet më shumë, thotë Emil Zola.

Meqë askush nuk do të na nxjerrë nga ky ujë amull ku na ka hedhur politika, le të shpresojmë se do të dalim nga pozita “midis dy mullarëve”. Qoftë “midis sy mullarëve”, qoftë pozita “bëre zot ëndërr” – të njëjta janë. Dhe, duhet të dalim nga këto pozita dhe t’i përvishemi punës, të jemi aktivë, me iniciativë, me veprime krijuese. Duhet të përpiqemi për interesat tona. Se kështu si sillemi ne në fakt jemi duke i dënuar fëmijët e djepit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button