Numra rekord të punësuarish në administratë!

Maqedonia llogaritet si një prej shteteve më të vogla për nga numri i popullatës, por njëkohësisht është një prej vendeve të cilat kryesojnë me kapacitetin e sektorit publik, krahasuar për nga numri i të ashtuquajturve “buxhetorëve” për kokë banori. Punësimet masive në administratë, shkaktojnë komente të ndryshme në publik, duke filluar nga kritikat për shkak të punësimit të tepruar e deri tek qëndrimet e ndryshme se vendi po ballafaqohet me këtë problem që kur u pavarësua, shkruan Koha.

Sa i përket numrit të administratës shifrat janë të ndryshme varësisht se prej cilit institucion do të kërkoni përgjigjen. Sipas raportit të fundit të Avokatit të popullit për vitin 2014, të publikuar gjatë këtyre ditëve, në administratë ka 108.848 të punësuar për dallim nga viti 2007 kur ka patur thuajse dyfish më pak, ose 59.629. Numër më të madh të punësimeve të reja ka patur në periudhën 2010/2011, pak më pak se 20.000 persona. Nga Zyra e Avokatit të Popullit, siç informojnë, janë dorëzuar kërkesa me shkrim me tabela të përgatitura për plotësim deri tek 1.077 institucione, prej të cilave 1.062 kanë dorëzuar të dhëna, ndërsa 15 institucione edhe krahas kërkesave me shkrim dhe kontakteve telefonike nuk kanë dorëzuar përgjigje. Nuk ka të dhëna nga Ministria e shëndetësisë, Klinika për kirurgji digjestive, Prokuroria publike themelore për hetim të krimit dhe korrupsionit të organizuar dhe disa institucione arsimore dhe kulturore. Prandaj për këto janë në raport futur të dhëna nga viti paraprak.

Sipas të dhënave, në të gjitha dikasteret qeveritare për shembull ka të punësuar 15.713 persona, kurse më në numër është Ministria e punëve të brendshme me mbi 10.000 të punësuar, ndërsa pastaj vjen Ministria e mbrojtjes me 914 të punësuar. Në Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë, Sekretariatin ligjdhënës, për çështje evropiane dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit janë të punësuar 2.722 (më së shumti në këtë të fundit, madje 1.766 persona). Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të punësuarit në shëndetësi, kulturë dhe të punësuarit në ndërmarrjet dhe institucionet publike, të cilat janë të themeluara nga komunat dhe Qyteti i Shkupit janë hequr nga lista e administratorëve.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button