Ku mbeti plani për objektin e USHT-së në Shkup?!

Studimet e disperzuara të USHT-së në Shkupit do të vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”, pasi punimet për ndërtimin e një objekti adekuat ende nuk kanë filluar.

Nga Komuna e Çairit bëjnë të ditur se ende nuk është përfunduar plani detal sa i përket një objekti adekuat që është parashikuar të ndërtohet për USHT-në.

“Ende jemi në pritje të përpilimit të planit detal për objektin e ri të USHT-së”, tha Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.

Kohë më parë, gjegjësisht në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nga kjo komunë thanë se  planin detal e përpilon Agjencioni për planifikim hapësinor dhe pritet që ky proces të përfundojë për dy deri tre muaj. Ky afat kohor ka kaluar po si duket ende nuk është përfunduar plani i tillë për arsye të panjohura.

Detaje më të hollësishme lidhur me procedurën e planit detal të USHT-së dha Xhengiz Hani, nga sektori urbanistik i Komunës Çair.

“Plani detal është duke u përgatitur së bashku me Komunën e Karposhit, ku morëm pëlqim edhe nga kadastra. Tani pritet që plani të nxirret para këshillit të dy komunave dhe të bëhet debat publik i cili do të zgjasë 10ditë. Pas Debatit publik, plani dërgohet në Qytetin e Shkupit di dhe në disa institucione tjera shtetërore dhe në fund Ministria e Transportit është ajo që jep dritën jeshile për këtë projekt. Kjo është një procedurë e gjatë dhe e paparashikueshme, mendonim që për dy tre muaj do të kryhen këto procedura por nuk ndodhi ashtu, por shpresojmë që së shpejti gjithçka të përfundojë me rezultat të mirë”, tha Hani.

Ndryshe nga Fenomeni USHT-“Studentët dhe filloristët bashkë”, dy objektet e reja do të ndërtohen në oborrin e fakultetit “Shën Qirili dhe Metodi”, njëri për fakultetin për edukatë fizike, sport dhe shëndet dhe tjetri për fakultetin për shkenca informatike dhe inxhinieri kompjuterike.

Lëre që ata nuk do të ndajnë hapësirat me nxënësit e shkollës fillore, madje flitet që objektet do të ndërtohen në stilin barok.

Studentët e USHT-së në Shkup, thonë se tani kushtet janë pak më të mira sesa që kanë qenë në hapësirat e mëparshme, por sërish theksojnë se ky objekt nuk i ngjan një universiteti.

“Në objektin në Çarshi ku ishim kushtet ishin te mjerueshme, nuk plotësonte kushtet minimale, tani jemi pak më mirë, por sërish nuk i ngjan një universiteti. Po e shohim dallimin duke qenë se prapa kemi objektin e Shën Kirilit dhe Metodit,  i cili ngjan në një universitet, kurse te ne në dritaret pranë hyrjes tonë, mund të shihen vizatime dhe lojëra të ndryshme të filloristëve me të cilët ndajmë objektin”, thonë studentët.

LEXO MË SHUMË:

Mexhiti: Kazerma “Ilinden”, zgjidhje afatgjate për USHT-në

Objekti i ri i USHT-së, një zgjidhje afatgjate?

Do të ndërtohen dy fakultete në stilin barok?

Fenomeni USHT: Studentët dhe filloristët bashkë! (Foto)

Arshinet e dyfishta: realiteti i USHT dhe Shën Kirili dhe Metodit

Komuna Çair: Po përpilojmë planin për USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button