Përse ia lidhni aq lartë?

I fërkojnë duart partitë opozitare shqiptare për situatën e krijuar në partinë shqiptare në pushtet! Me siguri pyeten cili prej tyre tani do të përfiton nga kjo?
Kam përshtypjen se dy lëvizjet politike shqiptare Besa dhe Lëvizja e Selës të krijuara rishtas në skenën politike në Maqedoni, më së shumti ndihen se mund të fitojnë elektorat nga kjo krizë ta quajmë të subjektit politik shqiptar në pushtet!
Deri tani asnjëra nuk mbeti pa thirr në bashkim, si Besa, si Sela, si RDK, si edhe ato tjerët që ishin më herët në skenë qoftë me subjekte qoftë si individë, ama disi nuk po ju shkon “dorës” ky bashkim, disi secili ndihet i “rëndësishëm”, disi secili pret që ai tjetri t’i bashkëngjitet thirrjes të këtij tjetrit…dhe kështu në rrethin vicioz “kush ma i pari bëri” do të sillen deri në pa kufi!
Ju të nderuar, nëse vazhdoni me këtë avaz, favorin më të madh ia bëni këtij subjekti në pushtet i cili ka nisur të dridhet prej brenda, nuk e di a ka nevojë t’ua themi juve “me eksperiencë” politike këtë?! Përse ia lidhni aq lartë sa nuk jeni? Përse mendoni se ju jeni ata që do ta zgjidhni një çështje kaq të madhe dhe të rëndësishme shqiptare me këtë kapadaillëk që jeni duke e treguar?
Nëse jeni për unifikimin e qëndrimeve si subjekte opozitare, atëherë çka ju pengon të dilni në publik, të ulur të gjithë rreth një tryeze të rrumbullakët ku do të nënshkruani marrëveshjen për bashkëpunim me qëllime të qarta kombëtare. Nëse ju mendoni t’i zëvendësoni ministrat aktual, ose ne vend të këtyre të vini ju, asgjë nuk keni bërë sepse nuk do të vini asnjëherë në vend të tyre kështu të katandisur dhe çallmëmëdhenj! Do të humbni të turpëruar.
Që kjo mos të ndodhë, ne disa aktivistë nga mërgata kërkojmë nga ju që të lini të gjitha krye lartësitë mënjanë, dhe të uleni e të firmosni dokumentin për unifikimin e qëndrimeve tuaja karshi palës maqedonase (jo partive maqedonase, por palës maqedonase). Ne si aktivistë mërgimtarë, jemi të gatshëm gjithmonë të marrim pjesë në këtë marrëveshje historike së bashku me ju, që t’i themi të gjitha prioriteteve tjera JO pa u zgjedhur çështja shqiptare. Nuk është prioritet as NATO, as UE pa zgjidhjen definitive të shqiptarëve si në Maqedoni si në rajon, këtë duhet ta keni të qartë.
Pa unifikimin e qëndrimeve tona, dijeni se bëni zhurmë për kot.

Lajme të ngjashme

Back to top button