Lista Serbe po dobësohet, SLS-ja mund të kthehet në Qeveri

Lista Serbe, gradualisht po e humb fuqinë përfaqësuese në skenën politike në Kosovë. Primatin e partive serbe po e kthen Partia Liberale Serbe (SLS) e Sllobodan Petroviqit. Aktualisht, SLS i ka katër deputetë brenda grupit parlamentar të Listës Serbe.

Ndërkohë, është në pritje për ta deleguar edhe një përfaqësues tjetër në vend të deputetit tashmë të ndjerë, Velimir Rakiq.

Me pesë deputetë, SLS-së i duhet vetëm edhe një anëtar për ta krijuar grupin e vet parlamentar.

Krijimi i një grupi të tillë, ia hap dyert për të hyrë në partneritet të drejtpërdrejt me LDK-në e PDK-në në bashkëqeverisje.

“SLS, në rrethana të reja mund të shkëputet nga Lista Serbe dhe të bëhet hisedare e drejtpërdrejt në Qeveri. Pak rëndësi do të ketë pastaj kthimi ose jo i Listës Serbe në institucione”, ka thënë një burim i Gazetës Tribuna.

Rrjedhimisht, SLS do të mund të emëronte ministrin për Kthim dhe Komunitete si dhe të vendoste për pozitat e tjera ministrore, konform marrëveshjes që do të arrihej.

Të njëjtat burime kanë konfirmuar se SLS është duke biseduar me deputetë të komuniteteve pakicë për ta plotësuar kuotën për grup parlamentar.

Por, prioritet i është dhënë kthimit të Nenad Rashiqit, i cili deri para zgjedhjeve të fundit, ka qenë pjesë e këtij subjekti politik.

Rashiq nuk e ka mohuar se ka pasur biseda të shumta me liderin e Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, dhe se eventualisht mund të mendojnë për një bashkëpunim të mundshëm.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve “jorelevant” siç i quan ai, në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri thotë se do të jetë fatale për serbët e Kosovës.

Gazeta Tribuna ka insistuar të marr qëndrim nga Sllobodan Petroviqi, sikundër që ka dashur të marr shpjegime edhe nga Branimir Stojanoviqi për zhvillimet brenda Listës Serbe.

Por, asnjëri nuk ka shprehur gatishmërinë për të folur për këtë çështje. /Gazeta Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button