Duka: Meritojmë 3 pikët, Platini nuk është fajtor

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka deklaroi se pas seancës gjyqësore që u mbajt pak ditë më parë në Lozanë të Zvicrës, pala shqiptare është optimiste për një rezultat pozitiv.

Duka tha se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka një autoritet që njihet në mbarë botën dhe një vendim ndryshe nga dy shkallët e gjykuara më parë, pritet të merret para qershorit.

Edhe pse ka ende kohë për të parë vendimin e plotë të zbardhur nga KAS, Duka tha se një gjë është e sigurt, që ndeshja Serbi-Shqipëri nuk do të përsëritet.

“Çdo vendim mund të ndodhi, por përsëritje ndeshjes nuk ka. Madje as ndarja e fajit në dyshë. Fajin e ka njëra palë. Nëse Serbia është përgjegjëse, këtë e vërteton edhe dënimi. Nuk e ndërpremë ne lojën, e ndërpreu albitri edhe nga vetë dëshmia e tij kjo rezulton. Ne duhet ta fitojmë, duhet ta fitojë futbolli dhe duhet të dënohen huliganët”, deklaroi Duka mbrëmjen e djeshme në emisionin sportiv të gazetarit Gert Çarçani, “Ora Skaner”.

Duke folur për seancën gjyqësore që u zhvillua në Lozanë, Duka tha se fillimisht nga pala shqiptare dëshmoi kapiteni i skuadrës, Cana dhe më pas trajneri Xhani De Biasi e mbrojtësit ligjorë.

Në intervistën e tij televizive, Duka tha se gishti nuk duhet të drejtohet nga President i UEFA-së, Michel Platini për vendimin e marrë në dy shkallët e para. Sipas Dukës, kreu i UEFA-s ka ndihmuar Shqipërinë në shumë projekte sportive.

“Presidenti i UEFA-s e ka bërë mirë punën e tij. Shumë mendojnë se ai është fajtor, por raportet institucionale me presidentin, duhet të janë të mira. Ne mund të kujtojmë shumë gjëra të mira që futbolli shqiptar ka nga UEFA, qoftë edhe nën drejtimin e Michel Platini. Kemi bërë projekte më shumë se fqinjët tanë, edhe nga Serbia dhe ne duhet të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira”, vijoi presidenti i FSHF-së.

Ndërkaq, në dy vendimet e para të gjykuara në shkallët e UEFA-s, Shqipërisë i është dhënë humbje në tavolinë ndaj Serbisë në rezultatin 3-0 dhe FSHF-ja është gjobitur në shumë e 100 mijë eurove. Po të njëjtën gjobë mori edhe federata serbe e futbollit, ndërkohë që tri pikët e marra ndaj Shqipërisë, iu hoqën për organizim të dobët të ndeshjes. Gjithashtu, skuadra serbe u dënua që dy ndeshje t’i zhvillojë pa praninë e tifozëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button