Sela në takim me ministrin Shala: “Na sillni pak Kosovë dhe Shqipëri edhe në Strugë”

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela kreu një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku u takua me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Kujtim Shala. Takimi u zhvillua në atmosferë miqësore ku u bisedua rreth situatës aktuale politike në të dyja vendet, ndërsa veçanërisht u bisedua në lidhje me problemet dhe sfidat e pushtetit lokal në Maqedoni.

Sela, informoi ministrin Shala në lidhje me mundësitë e pakta që kanë komunat shqiptare në Maqedoni për zhvillimin dhe kultivimin e kulturës dhe aktiviteteve të ngjajshme, si pasojë e mosndarjes së fondeve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Prandaj ai kërkoi që Ministritë e Kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë të japin kontributin e tyre sa i përket kësaj çështje.

“Shpresoj se do të gjeni mirëkuptim ndaj kërkesave tona dhe të na sillni pak Kosovë dhe Shqipëri edhe në Strugë”- tha mes tjerash Kryetari i Komunës së Strugës në bisedë e sipër duke i prezantuar ministrit programin e quajtur “Vera Kulturore Shqiptare” që këtë vit do të organizohet për herë të dytë me synimin se do të bëhet traditë për më shumë vite.

Ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala u zotua se do të angazhohet që së bashku me Ministren e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro të sjellin për një javë aktivitete kulturore në Strugë. Trupa e Teatrit, Ansambli “Shota” dhe Filharmonia e Kosovës sipas gjitha gjasave këtë verë do të performojnë para publikut strugan.
Në fund të takimit me shpresë se do ta takohen në Strugë, Kryetari Sela i dhuroi Ministrit një pikturë me motive nga Struga si dhe mirënjohje nga ana e Komunës së Strugës.

Lajme të ngjashme

Back to top button