Përse Singapori e ndaloi me ligj çamçakëzin?

Zyrtari i lartë politik, Lee Kuan Yew, që vdiq muajin e shkuar, është i njohur si njeriu që e ktheu Singaporin nga një port i vogël në një qendër globale tregtie. Por ai gjithashtu nguli këmbë në pastërtinë dhe sjelljen e mirë. Vendi u personalizua me ndalimin për përtypjen e çamçakëzit, por çfarë e shtyu atë të vepronte kështu?

Për njëfarë kohe, pasi u prezantua ndalimi i çamçakëzëve në vitin 1992 kjo ishte gjithçka donin të flisnin gazetarët e huaj, u ankua Lee Kuan Yew më vonë, në një bisedë me gazetarin amerikan, Tom Plate.

Ndalimi mbetet një nga aspektet më të njohura të jetës në Singapor, së bashku me ligjet e vendit kundër hedhjes së mbeturinave, grafitit, pështymës, kruajtjen e hundës në publik dhe kalimit të rrugës pa respektuar rregullat e qarkullimit.

Kur Singapori u bë i pavarur në 1965-n, ishte një vend i vogël me pak burime, ndaj Lee, kryeministri i parë i vendit, krijoi një plan mbijetese. Kjo kishte të bënte me krijimin e emrit të qytetit si “oazi” i parë në botë në një rajon të botës së tretë.

Pa kaluar shumë, Singapori i kishte kaluar shtete të tjera të zhvilluara në pastërti, pastrimin e oborreve dhe sistemin eficient të transportit. Lee i edukuar në Kembrixh, dukej se po kërkonte perfeksionin.

“Për shumë vite si gazetar vizitor, edhe unë u përtypa për të kuptuar misterin e ndalimit të çamçakëzit, por arrita të kuptoj se tendenca për ta ngjitur atë në çdo vend publik, shihej nga autoritetet si një sulm mbi ambicien e Singaporit për të qenë perfekt”, shkruan Plate në librin e tij “Gjigantët e Azisë”: Biseda me Lee Kuan Yew.

Përtypja e çamçakëzit shihej si diçka antiutopike. Ajo dukej sikur i ngatërronte gjërat. Për sa shqetësoheshin kryeministri dhe ekipi i tij i punës, zakoni i përtypjes së çamçakëzëve ishte një armik për progresin. Mënyra për të shkuar drejt utopisë ishte e thjeshtë: të ndalohej me ligj çamçakëzi.

Kur ndalimi i çamçakëzit u vu në zbatim, Lee kishte përmbushur për 31 vjet detyrën si kryeministër.

“Ne jemi quajtur një shtet dado”, tha ai në një intervistë për BBC në vitin 2010. “Por rezultati është se ne sot jetojmë në një vend më tolerant sesa 30 vite më parë”.

Në atë kohë, Lee po kërkonte një shpërthim të ri të krijimtarisë në biznes dhe gazetari Peter Day me hezitim sugjeroi se copat e çamçakëzit të ngjitura në trotuare, tregonin se shpirti i ri i dëshiruar i krijimtarisë kishte mbërritur.

Lee u ngrys.

“Vendosja e çamçakëzëve në dyert e metrove tona që ato të mos hapen, këtë unë nuk e quaj krijimtari. E quaj bërje çapkënllëqesh”, u përgjigj Lee. “Nëse nuk mund të mendosh për shkak se nuk përtypesh, atëherë provo një banane”, shtoi ai.

“Lee ndiente se kishte një zgjidhje me politikë publike për çdo problem, edhe për çamçakëzët në trotuare dhe dyert e trenave transit”, shpjegon gazetari që e intervistoi në vitin 2000. “Ai ishte një person që unë e quaj pragmatist utopist. Ai zgjohej çdo mëngjes dhe mendonte: ‘Si mund ta bëj më të mirë vendin sot’?” u shpreh gazetari Plate.

Çamçakëzi është, gjithsesi “kryesisht i ligjshëm për t’u përtypur sot” thotë Plate. Ka qenë gjithnjë e ligjshme që dikush të marrë sasi të vogla për përdorim vetjak nga jashtë.

Që nga viti 2004, si rezultat i një marrëveshjeje të tregtisë së lirë mes SHBA-së dhe Singaporit – farmacistët dhe dentistët gjithashtu u lejuan të shesin çamçakëzë ‘terapeutikë’, te klientët me një recetë mjekësore. Kjo përfshin çamçakëzin standard, pa sheqer.

Ju ende mund të përballeni me një gjobë për hedhjen e një çamçakëzi të përtypur.

“Ne tallemi rreth këtyre rregullave… Ne singaporianët e quajmë Singaporin si një ‘qytet të rregullt’, por kjo shkon dorë për dore me kuptimin e dytë të së njëjtës fjalë që është gjoba, pasi shumë gjoba vendosen për lloje të ndryshme sjelljesh në shoqëri”, thotë Eugene Tan, një profesor i asociuar i drejtësisë në Universitetin e Menaxhimit në Singapor.

Dhe pavarësisht ndryshimit në ligj në 2004-n, “është e vështirë të gjesh njerëz që përtypin çamçakëz në Singapor”, thotë Tan.

Ai personalisht nuk ia ndien mallin.

“Trotuaret duken shumë mirë pa shenjat e shëmtuara të çamçakëzit”, thotë ai.

Gazetari Plate, që e ka vizituar Singaporin shumë herë, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem me zbatimin e ligjit, pavarësisht se ai thotë se bashkëshortja e tij u tundua të ecte në bar.

Singapori është shumë i pastër, i mbiçmuar dhe me shumë rregulla, thotë ai – jo edhe aq i ndryshëm nga qyteti i tij i lindjes, Beverly Hills në Kaliforni. /Gazetashqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button