Eurodeputetët i krahasojnë politikanët shqiptarë me fëmijët e llastuar

Delegacioni i Parlamentit Europian ka arritur në disa konkluzione tepër të pafavorshme për politikën shqiptare, pas takimit të fundit të stabilizim-asociimit, më 16 mars. Në raportin para Komitetit të Jashtëm, europarlamentarët që vizituan Tiranën i konsiderojnë politikanët shqiptarë si “fëmijë të llastuar”.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit europian për Europën Juglindore, Monika Makovei ishte tejet e ashpër në fjalën e saj. Sipas saj, politika shqiptare është e paaftë për të zhvilluar qoftë dhe një dialog normal.
“Komiteti i stabilizim asocimit PE-Shqipëri nuk ka rregulla për procedurën. Kam për qëllim t’u propozoj një draft për ta miratuar, sepse e pashë çfarë ndodhi pa një rregullore të tillë. Askush nuk respektoi kohën. Askush nuk respektonte folësin. Kur fjala i jepej dikujt, flisnin dhe 5-6 të tjerë njëkohësisht. Klima politike është mjaft e tensionuar dhe është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të skandaleve të fundit; i referohem një muaji e gjysmë më parë.

Ne u takuam me ambasadoren e BE-së, që është nga Kroacia, por dhe ambasadorët e tjerë të vendeve anëtare dhe ishte një takim i rëndësishëm sepse morëm për herë të parë, le të themi, informacione objektive. Në thelb, ata nënvizuan disa progres. Në luftën kundër korrupsionit ka ca raste që kanë nisur, por problemi është se mungon besimi tek Prokurori i Përgjithshëm. Dëgjova gjithë ambasadorët, përfshirë atë të BE-së, që thonin se as ata dhe as populli s’ka shumë besim tek Prokurori i Përgjithshëm, i cili është i njëjti që prej regjimit të mëparshëm dhe është mbajtur aty, por ky ishte perceptimi i të gjithëve mbi të, përfshirë ambasadorët.”- u shpreh Makovei.
Europarlamentari rumun, Viktor Boshtinaru tha se, në shumë raste kur politikanët shqiptarë telefonojnë te partitë e Parlamentit Europian për t’iu imponuar agjendat e tyre politike.

“Ata janë mësuar të telefonojnë Partitë Popullore Europiane apo socialdemokratët, në përpjekje për të promovuar agjendat e tyre politike, apo idetë e tyre, ndërkohë që jo gjithmonë informacioni i tyre është i vërtetë dhe i besueshëm. Së pari, duhet verifikuar vazhdimisht dhe së dyti, duhet folur vetëm me një zë mbi çështjet kyçe në Shqipëri. Duke e njohur rolin e Shqipërisë në rajon, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, sidomos kur shohim dhe deklarata si ajo e kryeministrit Edi Rama mbi marrëdhëniet me Kosovën.” – tha Boshtinaru.

Qëkur  Marrëveshja për Associim Stabilizim hyri në fuqi, në vitin 2009, janë zhvilluar gjithsej 8 takime të tilla. Në shumë raste, mbledhjet janë karakterizuar nga debate dhe fyerje mes deputetëve, duke  përçuar një imazh negativ për vendin. Në takimin e fundit, të mbajtur më 16 mars, opozita u përplas me mazhorancën dhe eurodeputetët në takimin e tetë të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim/ Asociimit BE-Shqipëri./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button