Stemat shqiptare në burimet heraldike

Lexo pjesën paraprake: A ka pasur stema shqiptare në koleksionet e para të stemave të Evropës Perëndimore?

Rëndesia dhe kuptimi i burimeve heraldike të quajtura “albume ilire”

Nga të gjitha burimet heraldike që ruhen në Jugosllavi dhe në vendet e jashtme, më të rëndësishmet janë sigurisht albumet ilire. Albumi është koleksion stemash. Albumi më i vjetër i stemave në Gadishullin Ballkanik është ai i vitit 1584/94 dhe ka qenë përgatitur prej dubrovnikasit Petar Ohmuçeviqit, që u bë më vonë admiral spanjoll në Napoli. Ky album nuk është ruajtur, po megjithëkëtë ruhen shumë kopjime të tij ose orignijale të tjera të quajtura “albume ilire”. Rëndësia e këtyre albumeve shihet edhe nga fakti se për to kanë shkruar deri tani afro 20 punëtorë shkencorë, duke filluar prej vitit 1842 deri më sot.[1] Dikush u jepte rëndësi më të madhe e dikush rëndësi më të vogël. Historiani dhe heraldiku hungarez Thalloczy, për shembull, i konsideronte si burime shumë të rëndësishme heraldike. Ludevit Gaji albumet e stemave i konsideronte si pararojë të lirizmit.[2] Punëtorë të tjerë shkencorë nuk u jepnin ndonjë rëndësi të madhe për shkak se konsideronin se janë punuar nga shtyrjet e interesat individuale dhe se ndër to ka shumë fiksione, e madje edhe falsifikate. Mirëpo, historianët që kanë shkruar deri tani për “albumet ilire” e kanë përcaktuar mjaft qartë objektivizmin prej fiksionit e falsifikimeve.

Punëtorët shkencorë, për shembull, kanë vërtetuar se datat 1340 dhe 1349, që qëndrojnë në disa prej këtyre albumeve, janë falsifikime të padyshimta. Të gjitha këto falsifikate janë bërë me qëllim që t’u jepet rëndësi më e madhe dhe vjetërsi, e kjo ka qenë në pajtim me qëllimet e Petar Ohmuçeviqit. Por, me gjithë këto fiksione dhe falsifikime, shkenca konstatoi se ç’është në këto këto albume fiksion e çka realitet, kur janë punuar, prej kujt janë punuar dhe përse? Shkenca po ashtu vërtetoi me saktësi se albumi i parë ka qenë punuar në Dubrovnik prej Petar Ohmuçeviqit.

Hungarezi i urtë Thalloczy që nuk ka ndonjë shkak të na lavdërojë heraldikisht, thotë se këto albume llogariten si “libro d’ora” të heraldikës jugosllave. Por për heraldikë, këto albume ilire janë interesante edhe për artin dhe kulturën e sllavëve të Jugut nga shekulli XVI e ndoshta edhe më parë, sepse dihet se shumë stema në këto albume janë prej shekullit XV.[3] Një koment tjetër thotë “Për çdo rast rëndësi të madhe ka fakti se te na qysh prej shekullit XVI kanë ekzistuar albume të punuara mirë, që atëherë ishin raritet qoftë edhe te popujt më të kulturuar”.[4] Po kështu ka punëtorë shkencorë që konsideronin se këto stema nuk kanë pasur vlerë juridike, por janë fiktive për shkak se i ka shpikur Petar Ohmuçeviqi, e nuk i kanë vërtetuar, nuk i ka ndarë me dekret ose urdhër nga ndonjë ent më i lartë feudal. Mirëpo, të gjitha stemat në botë janë të shpikura prej ndokujt, e sa i përket vërtetimi, në disa shtete të Evropës Perëndimore kjo gjë është praktikuar, por jo gjithnjë e jo vazhdimisht. Ka pasur shtete ku kjo punë s’bëhej, për shembull, Venediku. Në Glasnik heraldike për këtë thuhet: “Sipas sistemit shtetëroro-juridik venedikas për fisnikërinë, as qeveria, e as ndonjë ent tjetër nuk i ndanin stemat. Çdo fisnik, familje ose qytet ka pasur të drejtë të përvetësojë stemën që dëshiron, por me kusht që këtë të mos e ketë dikush tjeter. Sipas kësaj, qoftë sipas iniciativës, qoftë sipas dëshirës së don Pedros, respektivisht të Petar Ohmuçeviqit nuk kundërshtohej me të drejtën legjitime të Republikës së Venedikut që në atë kohë sundonte në Dalmaci dhe në një pjesë të Shqipërisë. Sipas kësaj këto stema janë plotësisht kompetente dhe nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë për falsifikat.[5]

Dukja e albumeve ilire krijoi interesim te emigracioni i atëhershëm serb, shqiptar dhe bosanas që kish ikur përpara turqve, si edhe te njerëzit e mësuar në vendet e jashtme. Rëndësia qëndron edhe në faktin se në bazë të këtyre albumeve stemash shumë familjeve fisnike në vendet e jashtme u janë njohur të drejtat fisnike.

Në shekullin XIX, kur disa shtete ballkanike filluan të çlirohen prej turqve dhe të formojnë shtete nacionale, prej këtyre albumeve merreshin stema të veçanta dhe shpalleshin si stema shtetërore. Kështu veproi Rumania, Serbia, Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia e të tjera.

Albumet janë ose në formë dorëshkrimesh ose të shtypura. Pronë janë ose të disa familjeve që dikur kanë qenë fisnikë, baronë, kontë, e të tjerë, ose të institucioneve të posaçme: të bibliotekave, arkivave, muzeve e të tjera.

Ne kemi parë shumë albume të këtilla si në Jugosllavi ashtu edhe në vendet e jashtme dhe i kemi ndarë e regjistruar ato ku ekziston stema shqiptare. Posaçërisht dhe në mënyrë kronologjike do t’i japim të gjitha burimet heraldike që i kemi gjetur e në të cilat gjenden stemat shqiptare.

(VAZHDON)

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.


 

[1] Glasnik heraldike, viti II, nr. 3-4, mars-prill 1938, Zagreb, 3.

[2] Po aty.

[3] Po aty.

[4] Glasnik heraldike I, nr. I, 5 korrik 1937, Zagreb, 5.

[5] Glasnik heraldike, viti II, nr. 3-4

Lajme të ngjashme

Back to top button