Këngëtarja amerikane e kopjon videoklipin e Tunës (Foto/Video)

Jemi mësuar duke parë këngëtarë shqiptarë duke kopjuar këngëtarët e huaj, kryesisht ballkanikë. Por, natyrisht se është e pazakont të shohim se si një këngëtare jashtëzakonisht e famshme amerikane e kopjon një këngëtare shqiptare.

Kështu ka ndodhur edhe me këngën e re të këngëtares amerikane, Tinashe, e cila duket se është inspiruar nga videoklipi i këngëtares shqiptare, Altuna Sejdi – Tuna.

Klipi i këngës “All Hands On Deck” nga amerikania është identik në shumicën e skenave me videoklipin e këngës “Pardon” të realizuar nga Tuna.

Tinashe, e cila njihet për miqësinë dhe raportet me emrat e mëdhenj si Nicki Minaj, me të cilën edhe ka qenë në turne – lansoi projektin e saj më 6 prill të vitit 2015, teksa projekti “Pardon” i Tunës u lansua më 11 tetor të vitit 2014, pra shumë muaj më parë.

Ngjashmëritë në skena janë evidente, por çka mendon këngëtarja dhe ekipi i saj për këtë gjë? Telegrafi në pamundësi për të kontaktuar direkt Tunën për shkak të angazhimeve, ka kontaktuar menaxhmentin e këngëtares shqiptare rreth këtij indikacioni për plagjiaturë. Arnolld Korenica nga menaxhmenti i këngëtares ka thënë se për ekipin e këngëtares nuk është ndonjë befasi e madhe kjo dhe se madje po mblidhen faktet për të ndjekur hapa ligjorë.

“Ka disa ditë që kemi analizuar projektin e këngëtares në fjalë. Kemi marrë informacionin dhe natyrisht se e kemi përcjellë me vëmendje atë që po ndodh. Tash, edhe mediat e kanë zbuluar se ka ngjashmëri”.

“Për skenën muzikore shqiptare mund të jetë pozitive që një këngëtare kaq e njohur në Amerikë të jetë inspiruar nga Tuna e cila vet personalisht e ka ideuar pjesën më të madhe të projektit, por në fakt për neve Fenix Team që jemi edhe menaxhmenti i saj kjo nuk është ndonjë befasi e madhe. Tashmë Tuna ka punuar me disa prej brendeve më të mëdha botërore të modës, dhe me fotografë e stilistë prej më të mëdhenjve të skenës botërore, dhe nuk është çudi që një këngëtare e re si Tinashe të jetë inspiruar. Pra, nuk është asgjë e rastësishme”.

“Si do që të jetë, ne kemi mbledhur faktet dhe së shpejti do të ndërmarrim edhe hapa ligjorë për të sqaruar autenticitetin e këtij projekti. Për ne me rëndësi është që artistja të rruhet dhe e drejta e saj autoriale të respektohet”, ka deklaruar Arnolld Korenica, menaxher i Tunës dhe Cozman.

Tinashe është këngëtare e njohur për bashkëpunimet e saj dhe këngët e suksesshme në veçanti në tregun amerikan, teksa ka qenë edhe në turne me Nicki Mianj, kurse Tuna ka kohë që vishet nga brende botërore si KTZ, W.I.A e të tjera e duket se kjo ka ndikuar që shqiptarja të ketë tërhequr vëmendjen e artistëve të huaj.

Mbetet të shihet ajo që do të ndodhë, por është vërtet rast i rrallë që një këngëtare shqiptare të jetë e kopjuar nga një këngëtare tjetër me famë botërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button