Kurti: Qeveria paqe me Serbinë, luftë me Islamin

Albin Kurti i quan shpifje akuzat se ai edhe Lëvizja Vetëvendosje janë kundër SHBA-ve dhe Perëndimit: “Unë nuk jam servil ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë, e kjo nuk më bën të jem kundër tyre”, ka thënë ish lideri i VV-së në një intervistë për “Zëri”-n.

Më tej Kurti sqaron se nuk ka asnjë subjekt në Kosovë që e ka programin më të afërt me idenë dhe me politikat e Obamës sesa Lëvizja Vetëvendosje.

Nuk pranon se flirton me rrymat radikale në Kosovë dhe kritikon qeverinë duke thënë se “është kjo qeveri që e ka bërë Kosovën tokë pjellore edhe për ekstremizëm, ndërsa tani prirja e saj është të bëjë paqe me Serbinë, e t’i shpallë luftë Islamit”.

Për ekstremizmin fetar Kurti thotë se nuk ka më shumë në Kosovë, se në Evropë, por, sipas tij, këtë fenomen qeveria po e përdor për të mbuluar të zezat e veta.

Ai foli edhe për qasjen e ndërkombëtarëve në raport me Serbinë. “Është e tmerrshme se si ndërkombëtarët po e përkëdhelin Serbinë, ndërsa për Kosovën me qasjen e tillë “hajt se durojnë këta’”, është shprehur Kurti.

Ndërsa në pyetjen se në opinion është krijuar përshtypja se ai është kundër amerikanëve, kundër perëndimorëve, ish lideri i Vetëvendosjes tha se “Më shumë ka politikanë dhe analistë të regjimit që mendojnë ashtu sesa qytetarë të Kosovës…”.

Lajme të ngjashme

Back to top button