Prishtinë, opozita protestoi qetë, lyhet me të zezë Kushtetuesja

Protestues nga e gjithë Kosova janë mbledhur të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, për të protestuar kundër situatës së rënduar social-ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

Prej andej ata kanë nisur marshimin dhe kanë ndaluar fillimisht para selisë së Gjykatës Kushtetuese, pjesën ballore të të cilës e kanë lyer me bojë të zezë në shenjë proteste ndaj kapjes së saj nga politika, transmeton Top Channel.

Ndalesa e dytë ka qenë selia e KEDS-it, ku qytetarët kanë protestuar kundër faturave të shtrenjta të energjisë. Ata kanë tentuar të hyjnë në oborrin e godinës, por nuk janë lejuar nga njësia speciale e policisë.

Pas kërkesave, forcat e rendit kanë lejuar njërin prej tyre të hyjë, i cili ka thyer në shenjë simbolike një matës të energjisë, ndërsa jashtë shumë qytetarë të tjerë kanë bërë të njëjtin veprim.

Protesta ka vijuar me selinë e RTK-së, institucion që sipas opozitës është vënë në shërbim të partive në pushtet. Manifestuesit kanë kërkuar shkarkimin e bordit menaxhues të televizionit publik, duke bërtitur: “RTK është e jona, jo e Kadri Veselit”.

“Me hajdutë nuk ka shtet”, “Hajdutët në burg, jo në Qeveri”, “Asociacioni i Serbisë i barabartë me ndarjen e Kosovës”, kanë qenë disa nga parrullat që kanë mbajtur protestuesit.

Të pranishëm mes tyre, në vijën e parë, kanë qenë edhe krerët e partive të opozitës, si Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së, etj.

Para nisjes së tubimit agjentët e policisë hoqën nga rrugët objekte të forta që mund të përdoreshin nga manifestuesit, si dhe rrethuan godinën e Gjykatës Kushtetuese për arsye sigurie. Për fat të mirë, nuk u regjistrua asnjë incident.

Më herët policia shpërndau edhe disa pamflete për protestuesit duke i paralajmeruar se, “njeh të drejtën e tyre për të protestuar, por nuk do të tolerojë aktet e dhunës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button