Afganistan, sulmi vetëvrasës u merr jetën 33 personave

Të paktën 33 persona janë vrarë dhe rreth 100 të tjerë janë plagosur në një sulm vetëvrasës të kryer në qytetin e Xhalalabadit, në lindje të Afganistanit.

Shpërthimi ndodhi jashtë selisë së një banke, deklaroi shefi i policisë lokale, Fazel Ahmad Sherzad, sipas të cilit, atentatori po udhëtonte në bordin e një motoçiklete.

Punonjësit publikë dhe personeli ushtarak ishin në pritje të marrjes së pagës së tyre jashtë filialit të Bankës së Re të Kabulit, kur ndodhi shpërthimi.

Zyrtari i policisë deklaroi se një tjetër bombë u gjet në afërsi të vendit të ngjarjes nga forcat e sigurisë, e cila u shkatërrua përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Megjithatë, një shpërthim tjetër u verifikua jashtë një faltoreje në të njëjtin qytet mëngjesin e së shtunës, por për fat të mirë pa shkaktuar viktima.

Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve dhe një zëdhënës i talebanëve deklaroi se guerrilasit nuk ishin të përfshirë.

Qyteti i Xhalalabadit ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve të talebanëve. Më 10 prill, një sulm i guerrilasve ndaj një autokolone të NATO-s shkaktoi vdekjen e 3 civilëve.

Pas shumë vitesh që nga ndërhyrja e NATO-s, sfida për të luftuar grupet ekstremiste është tashmë në duart e forcave vendase të sigurisë, por rezulton që këto të fundit nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë sfidës, duke krijuar boshllëqe për rreziqe të reja.

Vetëm pak trupa të NATO-s kanë mbetur në vend, e që kanë kryesisht rol trajnues për trupat vendase, pasi misioni i tyre luftarak përfundoi në dhjetor. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button