70 vjetori i gjen ata në kushte katastrofale, ministri Ademi refuzon takimet!

Nxënësit e shkollës fillore “Liman Kaba” në fshatin Lubeten të Shkupit, edhe këtë vit do të përfundojnë mësimin në një objekt i cili ka mungesë të madhe të hapësirës si dhe është pikëpyetje se a do të ndërmerren masa për zgjerimin e tij para se të fillojë viti i ri shkollor 2015/2016.

Drejtori i kësaj shkolle Xhezmi Abdyrramani bën të ditur për Portalb se ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi nuk pranon të takojë atë si dhe të bisedojë më hollësisht lidhur me investimin që i nevojitet këtij objekti.

“Asgjë nuk ka të re sa i përket projektit tonë të përgatitur për zgjerimin e objektit, për arsye se nuk ka hapësira të mjaftueshme dhe jemi të detyruar që të improvizojmë klasa edhe ne podrum . Kam kërkuar takim me ministrin po ai nuk më pranon. Kemi biseduar disa herë me përfaqësues të MASH-it dhe vetëm na thonë se i kemi parasysh kërkesat tuaja”, tha për Portalb, Abdyrramani.

Ai shtoi se tani shënojnë 70 vjetorin e shkollës, dhe se kushtet janë ndoshta edhe më të mjerueshme sesa në para 70 viteve.

“Tani shënojmë 70 vjetorin e hapjes së kësaj shkolle, kurse deri para një kohe tualetin e kishim në oborr te shkollës, të cilin na e mbylli Inspektorati shëndetësor, dhe kërkuam nga komuna zgjidhje. Tani i rregulluan brenda por hapësira për nxënësit ngelet shumë e vogël. Është shkollë e vjetër, është ndërtuar disa herë, është shndërruar në një objekt shkollor me pesë hyrje sepse është ndërtuar nga nj klasë nga një klasë, mund të them se është në gjendje më të mjerueshme sesa në fillim kur është hapur me shumë vështirësi kjo shkollë”, shtoi Abdyrrahmani.

Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski bën të ditur se MASH-i ka projekt për sanimin, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, i cili është ende në proces e sipër.

“Ne kemi projektin për sanimin, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, i cili është ende në zhvillim e sipër, në disa shkolla kanë përfunduar punimet, në disa tjera është duke u punuar ende kurse në disa tjera do të fillohet të investohet”, tha Galevski.

Ndërkaq edhe në shkollën fillore  “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit, mbizotëron pothuajse e njëjta situatë, ku ende nuk ka asgjë të re, asgjë nga ajo që u premtua nga ministri Ademi, se në mars do të fillojnë punimet për ndërtimin e një objekti të ri shkollor.

 

LEXO MË SHUMË:

Shkolla e Lubetenit po kalbet, MASH nuk çan kokën (FOTO)

Shkolla e Lubetenit jashtë listës së investimeve të MASH-it

(Foto) Shkolla e Lubetenit në gjendje të mjerueshme, nxënësit mësojnë ne podrum!

Gjysëmvjetori i dytë i gjen në gjendje të mjerueshme shkollat

Abdilaqim Ademi harroi shkollën e Lubetenit

Ja se si drejtorët e përgënjeshtrojnë Abdilaqim Ademin (FOTO)

Lajme të ngjashme

Back to top button