Gjermania kthen shtetasit maqedonas që nuk përmbushën kushtet për azil

Vazhdon kthimi grupor i të huajve të cilët nuk i kanë përmbushur kushtet për marrje të azilit dhe qëndrim në Gjermani.

Sipas autoriteteve  lokale në qytetin Karlsrue dje në orën 14 nga aeroporti në Baden – Baden janë kthyer gjithsej 59 shtetas të Maqedonisë dhe Serbisë, 13 prej tyre nga krahina Baden – Vitermberg, ndërsa të tjerët nga Hese, Rajna – Palatinat, Sarland dhe Saksonia.

Midis  të kthyerve, sipas radios “Drejekland” nga Frajburgu e cila konfirmoi se autoritetet sistematikisht i fshehin informatat për dëbimin e shtetasve të huaj kërkues të azilit, ka edhe 19 fëmijë.

Sipas organizatave joqeveritare të cilat protestojnë kundër kthimit autoritetet lokale refuzojnë ta paralajmërojnë kthimin e azilantëve nga Ballkani, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë dhe romë. As autoritetet gjermane as organizatat për të drejtat e njeriut tani për tani nuk mund të japin numër të saktë të shtetasve të Maqedonisë të dëbuar nga Gjermania.

Qëndrimi zyrtar i Ministrisë gjermane të Migrimit është se në shtetet e tyre amë do të kthehen të gjithë të huajt të cilët nuk i përmbushin kushtet për marrje të azilit.

Sipas vendimit të autoriteteve gjermane i miratuar vitin e kaluar qytetarët e vendeve nga Ballkani Perëndimor – Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen si vende të sigurta dhe përveçse nëse nuk ka rrezikim të qartë të sigurisë personale në vendin amë sipas kritereve të ashpra të Gjermanisë ata nuk mund të shpresojnë për marrje të azilit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button