Arbana Xhara: Pengesat më sfidojnë të mos ndalem (Intervistë)

Arbana na mëson se si nuk duhet të dorëzohemi para sfidave dhe pengesave. Ballkani është vend i rrezikshëm për ata që e bëjnë punën e vetë. Njerëzit si Arbana janë drita në fund të tunelit. Ajo rrezaton sukses, profesionalizëm në punë dhe motivim për të gjithë ata që planifikojnë të mos të dorëzohen para të keqes. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani.

Arbana Xharra është ndër 10 gratë, të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari amerikan i Shtetit.’’ shkruan Zëri i Amerikës. Si ndjeheni për këtë?

A.XHARA: Është një nder i madh të vlerësohesh nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pastaj të jesh në mesin e 10 grave të guximshme nga mbarë bota, derisa në garë kanë qenë gjithsej nga 97 shtete të ndryshme.  Të të njihet puna dhe të vlerësohet nga sekretari i shtetit John Kerry  dhe zonja e parë Michele Obama është një privilegj i madh.  Ky çmim pos nderimit të jep edhe vullnet për të ecur tutje me përkushtim…

Cila është sfida më e madhe e profesionit të gazetarisë në Kosovë?

A.XHARA: Sfida më e madhe për gazetari është raportimi i krimit dhe korrupsionit. Kosova vazhdon të mbesë vend i pasigurt për gazetarët e pavarur, ambient ky ku ende dominojnë grupe dhe individ të caktuar që shtrijnë ndikimin me lidhjet që kanë me pushtetin, organet e sigurisë, bizneset e monopolizuara etj. Pastaj qasja në informacion, pengesat e llojeve të ndryshme, kërcënimet, shantazhet, si ndaj gazetarit ashtu edhe ndaj medias së pavarur.

Ju jeni kryeredaktore e gazetës Zëri në Kosovë. Sa i përket kuadrove të reja në Kosovë, a ia vlen që tu jepet përgjegjësi gjeneratave të reja?

A.XHARA:Gazetaria është një profesion që mësohet nga puna të terren. Mosha është relative, s’ka të bëjë marrja e përgjegjësi me moshë, por nga eksperienca në gazetari dhe njohuritë të tjera.

Gjatë punësimit, çka ju tërheq më shumë tek CV e një kandidati?

A.XHARA: Përvoja, entuziazmi dhe stili i të shkruarit 

Sa kujdeset shteti për avancimin e kuadrove me kualitet?

A.XHARA: Në fakt shteti ka degraduar në vazhdimësi kuadrot, kemi të shkolluar me Master dhe PhD të cilët janë të pa punë. Devalvimi i kritereve gati në secilin institucion shtetëror është i pranishëm tash sa vjet.

A po ndodhë në Kosovë brain drain (migrim)?

A.XH.Po kemi migrim të trurit, fatkeqësisht Kosova nuk ofron mundësi për njerëz të kualifikuar. Në secilin profil, tendenca për të ikur jashtë vendit është në rritje.

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?

A.XHARA: Të jesh pjesë e gazetarisë për më shumë se 14 vjet, përballësh me sfida të shumta, por njëkohësisht të arriturat, rezultatet që dalin nga puna të japin kënaqësi të madhe. Vetëm ata që e duan dhe e bëjnë këtë profesion me përkushtim mund të  kuptojnë entuziazmin, frymëzimin dhe vullnetin që të jep ky profesion. Por gjithë ato me të cilat jam sfiduar, më kanë mësuar që të mos dorëzohem, çfarë do qofshin pengesat dhe problemet.

A je dorëzuar ndonjëherë për diçka?

A.XHARA: Asnjëherë, përkundrazi pengesat më sfidojnë të mos ndalem.

Si e përshkruani punën tuaj? A jeni e dhënë pas punës?

A.XHARA: Deri ne 12 orë në ditë, jam e angazhuar rreth gazetës. Pastaj edhe koha në shtëpi apo edhe gjatë pushimit nuk është shkëputje absolute nga ngjarjet dhe temat ditore. Të merresh me gazetari dhe të menaxhosh një media njëkohësisht, kërkojnë përkushtim të madh. Gazetaria asnjëherë nuk të jep komoditetin që të pushosh nga ajo.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjve?

A.XHARA: Secili prej nesh ka një ëndërr… demoralizimi është emocioni që më së shpeshti përballemi, dëshpërimi dhe pengesat në jetë të shtyjnë të heqësh dorë nga ëndrra. Nga përvojat e mija në jetë kam mësuar se asnjëherë nuk duhet kthyer kokën prapa. Me punë , përkushtim dhe vullnet,  suksesi është i pashmangshëm. Dikujt mund ti marr kohë shumë vite për të arritur, por asnjëherë nuk duhet hequr dorë.

Si e komentoni gjendjen e medias në Maqedoni? A mendoni se ndikohet jeta e rinisë nga mungesa e kualitetit të mediave?

A.XHARA: Në Maqedoni shoh kapje të medias nga pushteti dhe grupe të interesit, shumë më shumë sesa në vendet tjera të rajonit.

Si duhet të veproj një i ri i pa punë?

A.XHARA:Varet nga rrethanat dhe ambienti se ku jeton. Mundësitë për një të papunë në Kosovë, Maqedoni… krahasuar me mundësitë e një të papuni në vendet e BE-së, kanë dallim shumë të madh. Fatkeqësisht tek ne shpeshherë një vend i punës fitohet me lidhje dhe jo me kritere, pastaj mundësitë janë shumë të vogla për ata që janë të kualifikuar.

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?

A.XHARA: Po, këto iniciativa kanë treguar se individ me ide të tyre por edhe grupe të ndryshme kanë mundësi të arrijnë sukses. Viteve të fundit kemi parë inovacion të shprehur  nga të rinjtë në shumë sektorë, e sidomos në atë të biznesit të cilët kanë pasur rezultat të dukshëm.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?

A.XHARA:Ka shumë libra nuk do të kisha veçuar asnjë në veçanti. Por do të përmendi autorët e mi të preferuar: Hemingway (autori i parë i huaj që kam nis si e vogël ta lexoj), Orhan Pamuk, Malcolm Lowry, Umberto Eco, Pablo Neruda, Ismail Kadare etj. Edhe filma ka shumë, por kryesisht të zhanrit dramë pëlqej. Por filmi që do ta shikoja shumë herë pa u mërzitur është

Gone with the Wind, me aktorët më të mirë të të gjitha kohërave, Clark Gable dhe Vivien Leigh.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button